Ukrainë, 3 viktima në qytetin-port Mariupol

17/04/2014 00:00

Tre separatistë pro-rusë u vranë në përleshjet me forcat ukrainase në Mariupol, incidenti më i rëndë i kësaj natyre në Ukrainen Lindore dhe tregues i qartë i përshkallëzimit të ndjeshëm të tensioneve në rajon.

Në faqen e tij të Facebook-ut, ministri i Brendshëm ukrainas Arsen Avakov sqaroi se 13 aktivistë u plagosën gjatë sulmit të mbështetësve të Moskës ndaj një baze ushtarake. Të ndaluarit janë gjithsej 63. Në radhët e trupave ukrainase, sipas ministrit, nuk pati asnjë humbje.

Rreth 300 separatistë mësynë në orët e mbrëmjes njësinë ushtarake në Mariupol, pranë detit Azov, e lëshuan bomba molotov. Ushtarët ukrainas hapën zjarr, duke lënë tre prej tyre të vdekur në vend.

Operacioni për rimarrjen e ndërtesave qeveritare të pushtuara nga protestuesit pro-rusë vazhdon dhe Kievi, sipas Avakovit, ka dërguar në zonë përforcime e helikopterë, por pohimet e tij ende nuk kanë marrë një konfirmim të pavarur.

Mariupoli gjendet në skajin më jugor të rajonit të Donjeckut, nga ku nisi fushata e aktivistëve, që kërkojnë referendum të stilit të Krimesë, shkëputje me Ukrainen e bashkim me Rusinë. Disa prej vendasve thonë se, me forcat e Kievit në këtë qytet janë bashkuar edhe ultra-nacionalistë të ekstremit të djathtë ukrainas, ndërsa separatistët kanë ngritur barrikada nëpër rrugë.

Ukraina ka përbërë boshtin e komunikimit të drejtpërdrejtë televiziv, që Vladimir Putin do të ketë sot në televizion me qytetarë nga i gjithë vendi, e ku për herë të parë do t’i përgjigjet edhe pyetjeve të banorëve të Krimesë.

Në Gjenevë të Zvicrës, Shtetet e Bashkuara, Bashkimit Europian, Rusia dhe Ukraina kanë nisur të parat bisedime të kësaj natyre, që prej përshkallëzimit të krizës.

Shtëpia e Bardhë po konsideron seriozisht shtimin e sanksioneve, të vendosura pas aneksimit të Krimesë, megjithatë Departamenti i Shtetit e ka bërë të qartë se një veprim i tillë nuk do të ndërmerrej para takimit të Gjenevës.

Top Channel