Mazhorancë-opozitë pa konsensus

16/04/2014 00:00

Kryefjalë e ditëve të fondit ka qenë konsensusi i munguar për çështje të rëndësishme, siç ishte ajo e deklaratës së përbashkët në Parlamentin Europian, por edhe për reformën territoriale, mes mazhorancës dhe opozitës. Kemi pasur akuza për ushtrinë, për Forcat e Armatosura, por edhe për policinë nga ana e opozitës.

Për të folur lidhur mbi këto çështje e ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes ka qenë Majlinda Bregu, deputete e PD-së dhe kryetare e Komisionit të Integrimit.

Pandi Gjata: Janë orët e fundit kur do t’i themi parlamentarëve europian e miratuat apo jo deklaratën, afati i fundit i së cilës ishte e hëna. Në çfarë faze jemi në këtë marrëdhënie me Parlamentin Europian?

Majlinda Bregu: Nuk dua të justifikoi asnjë vonesë, as këtë nxitimin e ditëve të fundit, për të miratuar deklaratën, por në raste se kolegët e mazhorancës do të kishin dhënë përgjigje për propozimet tona, të cilat janë dërguar me shkrim menjëherë pas kthimit nga Strasburgu, ne do të kishim pasur një deklaratë tashmë ose një vendimmarrje. Nga e enjtja kur ne ishim në Parlament, pazi zoti Balla na dërgoi një draft me komentet e tyre mbi propozimet tona, e gjithë fundjava ka shkuar në një proces negociatash mes përfaqësuesve të opozitës dhe mazhorancës. Unë mund të kem parë, vetëm dje, mbi 20 email-e të shkëmbyera  mes zotit Halimi dhe zotit Balla. Ishte një moment kur mendova që tashmë kishte përfunduar gjithçka, pasi kishte një kompromis mes palëve, por sot u informova që ka një kthim pas edhe për ato çështje që ishte rënë dakord më parë, kjo gjë sigurisht që e vonon më shumë procesin. Është ky afat kohor sepse PE shpërndahet për arsye të zgjedhjeve. Është një deklaratë e përbashkët, e përbëra nga i gjithë delegacioni shqiptar, mazhoranca, opozita dhe Parlamentit Europian. Kjo do të thotë se kompromisi duhet të jetë shumë më e gjerë, por është një deklaratë në të cilën opozita nuk ka propozuar asgjë të pavërtetë dhe asgjë të re që nuk ka ndodhur. Ne kemi kërkuar nga Strasburgu dhe kemi mbajtur të njëjtin qëndrim është që çështje madhore që kanë ndodhur gjatë këtyre muajve të fundit. Nesër në Parlament do të propozohet nga mazhoranca një ligj tjetër që kërkon t’i marrë një kompetencë tjetër Presidentit të Republikës. Ne nuk kemi kërkuar asgjë tjetër, përveçse këto ngjarje të jenë prezente në këtë deklaratë të përbashkët.

Pandi Gjata: Gjasat janë që edhe këtë herë klasa politike shqiptare të shfaqet jo bashkëpunuese në sytë e ndërkombëtarëve?  

Majlinda Bregu: Kisha një takim sot, si me përfaqësues të BE në Tiranë edhe me zotin Kukan nga Brukseli. Shpresoj shumë që të kemi një deklaratë të përbashkët. Kjo vjen si rezultat e atij premtimi që ka dhënë opozita, kur bëhet fjalë për procesin e integrimit ne jemi të gatshëm për të qenë bashkë në reformat madhore. Deklarata nuk është reformë, por duhet të shpreh frymën e situatës politike në Shqipëri. Shpresoj që të paktën për atë që është rënë dakord deri dje të mos ketë kthim pas. Askush nuk pret që të ketë një konsensus maksimale mes 2 palëve, duhet të ketë lëshime. Opozita ka bërë lëshime e saj, pa cenuar misionin tonë politik për të thënë të vërtetën. Procesi i integrimit nuk duhet t’i ndajë forcat politike. Kjo është një deklaratë e rëndësishme, pasi edhe sikur 1%  të ndikojë në marrjen e statusit të Shqipërisë në Qershor edh për këtë rëndësia është shumë e madhe, por misioni i opozitës është të jetë atje ku janë qytetarët.

Pandi Gjata:  Për konsensus nuk bëhet fjalë vetëm për deklaratën e PE, por edhe për reformën territoriale. Mazhoranca ju ka lënë afat deri ditën e enjte që të bëheni pjesë e këtij procesi. Me të gjitha gjasat, edhe pas deklaratave të zotit Basha, palët janë larg një konsensusi. Është koha për protestë apo deri të enjten mund të kemi një ndryshim qëndrimi?

Majlinda Bregu: Reforma territoriale nuk ka të bëjë me procesin e integrimit, për të cilat është e domosdoshme konsensusi politik. Mazhoranca dhe opozita nuk pritet të bien dakord për çdo gjë, por kjo reformë vë në sedër aftësinë për të pasur një proces madhor. Reforma territoriale është një reformë e pastër elektorale, prandaj nxitohet për t’u bërë. Reformat elektorale në Shqipëri janë bërë gjithmonë me një konsensus të të gjitha palëve. Kjo reformë territoriale, siç quhet kjo, por elektorale fillon dhe mbaron me konsensus. Rama e di shumë mirë sesi kanë ecur proceset elektorale, të cilat kanë një kusht të domosdoshëm, konsensusin nga fillimi deri në fund. Në rast se nuk bihet dakord për këtë parim dhe në rast se luhet me kartën e konsensusit dhe në anën tjetër nxirret karta e të fortit, atëherë është një situata vetëm fasadë, për të hedhur hi syve. Kjo opozitë i ka ofruar konsensus për reformën elektorale mazhorancës së sotme para se të ndryshoheshin rolet. Besoj që nuk ka ndonjë qëndrim të pakuptueshëm në këtë mes, ky është qëndrimi ynë. Qëndrimi i mazhorancës që vazhdon të këmbëngulë të të sajën do të thotë se e ka ndarë mendjen për ta votuar me shumicë na Parlament.

Pandi Gjata:  Dhe ju keni gati protestat, apo jo?

Majlinda Bregu: Kjo mazhorancë mund të bëjë ç’të dojë, të blejë ndonjë deputet tjetër.

Pandi Gjata: E keni fjalën për ndonjë rrjedhje nga Partia Demokratike?

Majlinda Bregu: Absolutisht jo, asnjëherë nuk kam pasur frikë për opozitën e PD-së. Këtu i takon 2 kryetarëve të mazhorancës që të vendosin. Ne e kemi gati kundërpërgjigjen tonë, kemi dëshmuar gjatë gjithë këtyre javëve, që nuk jemi dakord me shkeljen e ligjit dhe të kushtetutës, do t’i kundërvihemi të gjitha shkeljeve që i bëhen ligjit. Kush ka parë protestën e 20 Shkurtit duhet ta mendojë seriozisht çdo hap që do të bëjë.

Pandi Gjata: Akuza të rënda vijnë nga PD, për atë që ju e quani trafik të drogës ku jënë të përfshira FA të Shqipërisë. Akuzat bëhen më të rënda kur bëhet fjalë që jemi edhe anëtarë të NATO-s. PD-ja nëse ka fakte a do t’i dorëzojë në Prokurori?

Majlinda Bregu: PD-ja ka thërritur për sqarime dhe ka ditë që bënë ftesë për të dhënë një përgjigje ministren e Mbrojtjes, zonjën Kodheli. Nuk besojë që ndokush mendon se zoti Imami përdori një batutë për të kaluar vetëm një seancë të radhës, por kjo akuzë u konfirmua edhe në mbrëmje nga kryetari Basha se ka të dhëna në përdorimin e mjeteve të ushtrisë për trafikun e drogës. Kjo është një akuzë mjaft e rëndë dhe nuk mund të bëhet në rast se nuk ka fakte. Ne po presim që Ministria e Mbrojtjes të bëjë transparencën e kësaj akuze shumë të rëndë, heshtja nuk e ndihmon. Pati një tentativë për të larguar vëmendjen kur Kodheli vendosi për ta kaluar çështjen në Prokurori. Kjo nuk i heq të drejtën deputetëve që të kërkojnë transparencë për atë që ka ndodhur. Ne do të vazhdojmë të ndjekim të të gjitha rrugët ligjore, por kjo nuk ndihmon dot heshtjen e zonjës Kodheli.

Pandi Gjata: Gara e brendshme në PD. Është folur në media për një debat në kryesinë e vogël, me kryetarin Basha, për këtë udhëzim që nuk është miratuar në struktura. Ju çfarë mund të na tregoni ndonjë detaj nëse ka pasur debat me zotin Basha mbi këtë çështje?  

Majlinda Bregu: Ka përfunduar procesi i anëtarësimeve në pjesën më të madhe, por kemi ende edhe Tiranën, në të cilën ky proces ende nuk ka nisur. Në kryeqytet do të jetë një format i ri. Ju siguroj që e papritur për të gjithë ne, kur kemi parë të dhënat e anëtarësimeve ka qenë një shifër, me gjithë pastrimet që i janë bërë listave, jemi në një shifër e cila është shumë optimiste dhe frymëzuese për një parti politike, e cila nuk ka më shumë se 7 muaj që ka dalë në opozitë. Ky proces do të vazhdojë me Tiranën dhe më pas me zgjedhjen e strukturave. Kryesia e grupit parlamentar ka fokus kryesor punën e seancës plenare, debate diskutime ka çdo ditë, nuk e besoj që ndonjëri pret që ne të shkojmë të shohim në sy njëri-tjetrin.

Pandi Gjata: Por kur ka debate, padyshim që marrin rëndësi kur flasim për një proces të rëndësishëm siç është ky në PD.

Majlinda Bregu: Nuk ka pasur asnjë gjë që dëmton frymën e Partisë Demokratike. Çdo gjë që bëhet është për të forcuar këtë frymë.

Pandi Gjata: A duket se deputetët janë lënë të mënjanuar në këtë proces zgjedhor të brendshëm të PD-së?

Majlinda Bregu: PD-ja me një grup të vogël parlamentar interes primar ka pasur seancat parlamentare. E rëndësishme është që ky proces të përmbyllet mirë, të jetë i pa kontestueshëm. Në rast se do të ketë kontestime duhet të ketë përgjigje për to. Sot PD-ja nuk e sheh veten me një anëtarësi që e nxjerr atë në minorancë. Ende pa mbyllur Tiranën është një parti e fuqishme, gati për një start elektoral të fuqishëm. Nuk kemi dashur që të bllokojmë dhe t’i lëmë një njollë vendit për të thënë se na vodhën zgjedhjet.

Pandi Gjata: Por ende nuk e keni bërë analizën e humbjes në “23 Qershor”.

Majlinda Bregu: Nuk ka njeri në PD që nuk e bënë analizën më mirë dhe më thellë se unë dhe kolegët e mi.

Pandi Gjata: Kur di t’i kemi gati strukturat e reja të PD-së?

Majlinda Bregu: Ky do të jetë një proces që do të vazhdojë, por besoj që vera do t’ju gjejë me lajme shumë të mira.

Top Channel