“Hetim karburanteve pa cilësi”

15/04/2014 00:00

Pas një kontrolli për cilësinë e karburanteve, Inspektoriati Qendror Teknik publikoi listën e dhjetëra pikave të shitjes të cilat ofrojnë karburante me përqindje shumë të lartë squfuri.

Por, Shoqata e Hidrokarbureve kërkon të hetohet origjina e këtij karburanti, pra furnizuesi i tyre.

Luigj Aliaj, president i Shoqatës së Hidrokarbureve, thotë: “Abuzuesit e vërtetë janë furnitorët e pikave. Askush nuk prodhon karburant në shtëpi. Nuk jam për gjoba pasi legjislacioni e thotë qartë që produkti që kapet jashtë standartit duhet të bllokohet dhe jo të vihen gjoba. Nuk duhet të flitet me emra kompanish, por me emra markash në mënyrë që konsumatori të kuptojë se te cili stacion është ky problem.”
 
Në fakt, emrat e publikuar ishin pothuajse të panjohur dhe shumica e tyre e ushtrojnë aktivitetin në zonat rurale. Duke i bërë një krahasim çmimeve me të cilin tregtohet një litër naftë, konsumatori mund të kuptoje se po vidhet, thekson Aliaj.

“Tregues i thjeshtë është vetë çmimi. Karburanti i cilësisë së mirë nuk është kuotuar asnjë ditë poshtë 100 dollarë për ton. Në doganë importuesi paguan 86 lekë për litër dhe po ta konvertosh, çmimi del 178 lekë për litër. Ndërkohë, shikon tabela që shesin me 165 apo 170. Nga kjo ta kesh të sigurtë që po merr një naftë pa cilësi dhe jo në sasinë e duhur”, shpjegon Aliaj.

Kreu i Shoqatës së Hidrokarburve thekson se tolerimi i kompanive të naftës që abuzojnë është një shqetësim i madh për kompanitë që importojnë naftë brenda standartit  dhe konkurojnë sipas rregullave të lojës në treg: “I gjithë ky produkt që shitet jashtë cilësive është evazion fiskal pasi i gjithë produkti duhet të jetë i standarteve dhe për këtë paguhen akcizat dhe të gjitha detyrimet përkatëse. Nafta pa standarte është e shmangur nga të gjitha detyrimet fiskale.”

Sipas tij, nëse duhet të luftohet ky fenomen mjafton të zbatohet ligji për karburantet, i cili nuk lejon asnjë pikë karburanti të tregtojë naftë tjetër përveç markës që ka vendosur në tabelë.

Top Channel