Basha: SMS-ja e Tahirit, tregues i krimit

15/04/2014 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në mbledhjen e grupit parlamentar i është referuar mesazhit telefonik të ministrit të Brendshëm,
Saimir Tahiri, duke hedhur poshtë hipotezat se e ka siguruar atë përmes
përgjimeve. Përgjimet, tha Basha, nuk bëjnë pjesë në strategjinë e PD.

“Opozita nuk e ka siguruar mesazhin përmes përgjimeve. Opozita nuk
përgjon dhe as do të përgjojë njeri, sepse përgjimi është i përjashtuar
parimisht. Por mesazhi që Rama i dërgoi Tahirit apo anasjelltas tregon
se të dy ata e kanë idenë e situatës së zymtë të krimit, por e paraqesin
atë me ngjyra rozë”, ka theksuar Basha.

Lideri i opozitës e ka vënë theksin edhe tek akuzat e bëra së fundmi nga PD për përfshirjen e Forcave të Armatosura në trafikun e drogës. Në fjalën e tij, Basha i ka bërë thirrje qeverisë që të sqarojë sa më parë pozitën e strukturave të ushtrisë shqiptare, duke e konsideruar diçka të tillë si një detyrim ndaj qytetarëve dhe aleatëve.

“Ne kemi bërë publik denoncimin për përdorimin e ushtrisë për trafikun e drogës. I bëjmë thirrje ministres së Mbrojtjes që të japë llogari, por heshtja e saj tregon gjendjen e saj. Zonja Kodheli ndodhet në vështirësi, por ajo e ka për detyrë të japë llogari para qytetarëve dhe NATO-s. I drejtohem Ramës dhe Kodhelit, keni apo jo dijeni për përdorimin e strukturave të FA për transportin e narkotikëve? Për shkak të rëndesës së tij, problemi duhet të trajtohet me urgjencë”, ka deklaruar Basha.

Më tej Basha ka sulmuar dyshen Rama-Meta, e cila sipas tij po ushtron një raprezalje diktatoriale në adresë të administratës, duke shkaktuar tragjedi të rënda në jetën e qytetarëve.

“Një grua nga Korça, Brunilda Meta, i dha fund jetës duke i dhënë lamtumirë familjes së saj. Ajo u bë objekt i raprezaljes kundër administratës publike të dyshes Rama-Meta, si gijotina e fundit në Evropën demokratike. Qeveria Rama-Meta po godet në mënyrë të pamëshirshme dinjitetin e njerëzve, me një raprezalje politike, duke vendosur gardianët e tyre kudo. Hiq burra e gra dhe vër militantë. Hiq profesionistë dhe vendos njerëz me precedentë penalë”, ka shtuar Basha.

Top Channel