Tërheqja e investimeve, Rama në Katar

14/04/2014 00:00

Nxitja e tregtisë si dhe shtimi investimeve ishin në fokus të vizitës 2-ditore të kryeministrit Edi Rama në Katar, me ftesë të homologut të tij Sheikut Abdullah Bin Nasser Al Thani.

I shoqëruar nga disa ministra dhe kryetarët e bashkive Durrës dhe Lezhë, kryeministri zhvilloi një sërë takimesh me përfaqësues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë dhe kreun e Autoritetit të Investimeve të Katarit, Ahmad M. Al-Sayed.

Bisedat në këto takime u përqendruan në zgjerimin e prezencës së bizneseve nga Katari në Shqipëri në fushat e energjisë, turizmit dhe bujqësisë.

Rama u prit në një takim të posaçëm nga kryeministri i Katarit, Sheiku Abdullah Bin Nasser Al Thani. Në përfundim të takimit me të, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati firmosi në emër të delegacionit shqiptar dy marrëveshje me qeverinë e Katarit:

“Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shtetit të Katarit në lidhje me rregulloren e punësimit të fuqisë punëtore në Shtetin e Katarit”, e cila rregullon punësimin e shtetasve shqiptarë në Katar, si dhe “Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shtetit të Katarit për bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë”.

Në ditën e dytë të vizitës kryeministri Rama u prit në një takim të veçantë edhe nga Emiri i Katarit, Lartësia e Tij, Sheiku Tamim bin Hamad Al Thani.

Gjatë këtij takimi u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në fushat e turizmit dhe bujqësisë. Me interes të veçantë u pa edhe bashkëpunimi në fushën e transportit ajror, ku “Qatar Airways” është një nga linjat kryesore në këtë sektor.

Emiri i Katarit u shpreh gjithashtu i gatshëm për të mirëpritur më shumë shqiptarë në Katar, të cilët mund të punësohen kryesisht në shërbimin shëndetësor, arsimor dhe ndërtim.

Top Channel