Takim me kulturën

14/04/2014 00:00

Ermonela Jaho dhe jehona që pati koncerti e saj në Tiranë, na bëri që të kthejmë sadopak vëmendjen tek kultura, problematika e së cilës në vendin tonë nuk ka fund.

Për të folur për problematikën dhe programin e zhvillimit kulturor dhe social, këtë të hënë në panelin e “Shqip” me gazetaren Rudina Xhunga ishin disa nga udhëheqësit e institucioneve të rëndësishmë të kulturës, ato institucione që sjellin ndryshimin në kulturë, që përcaktojnë përparësitë dhe diktojnë politikat në këtë fushë të shoqërisë sonë.

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, Drejtori i Teatrit Kombëtar Hervin Çuli, Drejtori i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Ilir Kerni, Drejtorja e Institutit të Monumenteve të Kulturës, Arta Dollani.

Të ftuarit folën për problematikën, planet dhe projektet e institucioneve përkatëse, sidomos kur vendi është në prag të çeljes së sezonit turistik. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro u ndal tek puna e institucionit që ajo drejton, ku një vëmendje i është kushtuar vecanërisht trashëgimisë.

Ajo përmendi disa nga zonat ku është ndërhyrë me projekte, si për pastrimin e zonave, ashtu edhe hartimin e një strategjie për hapjen monumenteve apo të muzeve për turistët.

Sa për muzetë, drejtorja e Institutit të Monumenteve të Kulturës, Arta Dollani tha se në Durrës së këtë sezon turistik do të hapet si asnjëherë më parë Muzeu Arkeologjik. “ Vjen për pulikun në një mënyrë bashkëkohore të ekspozimit të objekteve për publikun”, tha ajo.

Ndërsa drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli shtoi:  “Shpresojmë që së shpejti, brenda muajit të kemi premierën e parë të Teatrit Kombëtar. Mundësitë janë dhe do nisin audicionet për 2 shfaqje të tjera, ndërsa po shohim mundësinë për një teatër veror në oborrin e teatrit për muajt qershor-korrik”.

Zoti Çuli përmendi edhe një sërë projektesh bashkëpunimi mes Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve të Maqedonisë në fushën e teatrit.

Në pjesën e tretë, panelit iu bashkuan tre gazetaret e kulturës të gazetës Shqip, MAPO dhe Gazetës Shqiptare, të cilat bënë nga një pyetje për Ministren e Kulturës.

Pyetjes së gazetares së gazetës “Shqip” Alda Bardhyli mbi botimet e reja, librin dhe politikat e institucionit, Ministrja Kumbaro u përgjigj: “Së shpejti ne do të shpallim nismën “Një libër dhe një kafe”, që do të jetë një partneritet, do të ketë një fond për përkthyesit. Në tregun e botimeve, pjesa më e madhe e botimeve janë përkthime, pra lexuesi konsumon shumë më tepër përkthime dhe përkthyesit nuk vlerësohen ashtu sic e meriton pozicioni që ata kanë. Ndaj ne besojmë që ky fond do të ndihmojë shtëpitë botuese për t’u lehtësuar koston dhe për të rritur përfitimet e përkthyesve.

Pyetja e gazetares së gazetës MAPO, Aida Tuçi u përqendrua tek rasti i Butrintit, ku një pjesë të parkut ‘i ka dalë pronari’.

“Është një dosje më e komplikuar se sa ajo e një trashëgimie kulturore. Është në vëmendjen kryesore të Ministrisë së Kulturës që po studion nga ana juridike këtë cështje. Do studiojmë këtë dosje, të shtrirë në kohë dhe në hapësirë”, tha ministrja.

Po tek monumentet e trashëgimisë kulturore u ndal edhe gazetarja e Gazetës Shqiptare, Fatmira Nikolli, që kërkoi të dijë se cfarë do të bëhet me listën e monumenteve që do jepeshin me koncesion.

“Do të duhet punë me dosjet që do të shqyrtohen. Ne kemi ndërmarrë një reformë ligjore për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Nuk kemi pse ngutemi. Ju përmendet disa përvoja që kanë qenë të pakëndëshme. Ministria e Kulturës nuk është kundër partneriteteve, por këto duhet të jenë në interes të trashëgimisë kulturore”, u përgjigj ministrja Kumbaro.

Top Channel