Korçë, vetëvritet ish-i burgosuri

14/04/2014 00:00

Vetëvritet pas daljes nga burgu shtetasi Olsi Iljazi, 34-vjeçari i cili rrahu me këmbën e karrikes bashkëshorten shtatëzënë.

Katër ditë pasi rifitoi lirinë, duke përfituar nga amnistia, Iljazi është vetëhedhur nga ballkoni i apartamentit ku jetonte me prindërit.

Pasi ka vuajtur një pjesë të dënimit në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë, Iljazi i është rikthyer jetës së tij duke përfituar faljen e  pjesës së mbetur të dënimit nga amnistia.

Por 34-vjeçari, i cili edhe më herët ka kryer një tentativë vetëvrasjeje në burg, i ka dhënë fund jetës duke u hedhur nga kati i pestë.

Olsi Iljazi, i cili banonte në lagjen numër 9 të qytetit të Korçës, u dënua pasi rrahu me këmbën e karrikes bashkëshorten e tij Rudina Iljazi, teksa ajo ishte shtatëzënë, në pritje të fëmijës së dytë të çiftit.

Pas ngjarjes së regjistruar në 12 dhjetor të vitit 2012, Iljazi u dënua me 2.4 vite burg për veprën penale të plagosjes dhe atë të dhunës në familje.

Gjatë kohës që priste dënimin, ai tentoi të vriste veten duke goditur kokën pas murit, çka bëri që të shtrohej në spital për të marrë ndihmë mjekësore.

Top Channel