Falja e gjobave nga biznesi

14/04/2014 00:00

Komisioni i ekonomisë miratoi parimisht një ligj të shumëdebatuar, që fal të gjitha gjobat tatimore të vendosur ndaj biznesit nga 1 marsi deri në 31 gusht të vitit të kaluar.

“Para fushatës, gjatë dhe pas saj, biznesi është ankuar shumë për gjobat e vendosura padrejtësisht për të ndëshkuar bindjet politike”, deklaroi Brunilda Paskali, zëvendësministre e Financave.

“Shifra e gjobave që falen është 3.3 miliardë, por falen edhe 500 milionë që janë paguar”, saktësoi zëvendësministri tjetër Ervin Mete.

Por opozita e quajti ligjin demagogji të qeverisë, i cili sipas saj në thelb është edhe paradoksal. “Nëse është abuzim akti i kontrollit apo vlerësimit tatimor, atëherë përse është abuzive vetëm gjoba dhe nuk na qenka abuziv detyrimi tatimor”, u shpreh ish-ministri Ridvan Bode.

“Këtu keni vënë gjoba për moslëshim fature, ku është abuzimi këtu? Keni vënë për mospasje kasash apo mospagim taksash”, replikoi deputeti Edmond Spaho.

“Të gjitha shoqatat e biznesit, pa përjashtim, kanë ngritur si shqetësim madhor arbitraritetin e administratës fiskale gjatë periudhës parazgjedhore. Interesat e kujt po mbroni”, u përgjigj më tej kryetari i komisionit, Erjon Braçe.

Por Ridvan Bode tha se nëse qeveria dhe Kuvendi duan me të vërtetë të lehtësojnë biznesin por edhe individët, atëherë duhet një ligj më i gjerë.

“I njëjti problem vijon sot me mbifaturimet për energjinë elektrike, me mospagimin e detyrimeve nga të vetëpunësuarit, me gjobat e kamatvonesat që kanë qytetarët për mospagimin e energjisë dhe ujin e pijshëm”, nënvizoi Bode.

“Nuk jemi angazhuar t’i falim kujt detyrimin tatimor. Nuk jemi angazhuar se do t’i falim kujt mospagesën e detyrimeve shoqërore, sepse janë gjëra që duhet t’i paguajë gjithkush”, deklaroi nga ana tjetër Braçe.

Falja e gjobave të vendosura gjatë periudhës zgjedhore ishte një angazhim elektoral i Partisë Socialiste, me argumentin se shumica e tyre kishin motiv politik dhe po përdoreshin si presion ndaj biznesit nga qeveria e kaluar.

Top Channel