Pesë shpërndarës droge janë vënë në prangat e policisë së Durrësit, gjatë operacionit “Ëeekend 2”. Goditja e grupit të shpërndarësve të heroinës dhe marijuanës u bë në kuadër të një hetimi 2 mujor të Antidrogës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës.
Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë 5 të rinj, ndërsa u bë shpallja në kërkim e një tjetër personi. Nevrus Liço 21 vjeç, Haxhi Ruçi 21 vjeç, Ajgi Hysaj 19 vjeç, Tigër Kërtoçi 20 vjeç dhe Olsi Hajrulla 22 vjeç, të gjithë banues në Durrës, akuzohen se tregtonin në bashkëpunim lëndë narkotike të llojit heroinë dhe kanabis sativa, në zona të ndryshme të qytetit bregdetar.
Gjithashtu, dyshohet se të arrestuarit janë autorë të 6 rasteve të hedhjes së lëndëve narkotike brenda rrethimit të burgut të Durrësit, vepër kjo e kryer në periudha të ndryshme.
Policia deklaroi se, përgjatë hetimit, u arrit të dokumentohet me prova ligjore veprimtaria shpërndarëse e të arrestuarve dhe personit në kërkim, ndërsa në momentin e ndalimit personave iu gjetën e iu sekuestruan edhe 200 doza heroinë, 300 doza kanabis sativa, granatë dore luftarake, si dhe një sasi fishekësh luftarakë.
Top Channel