Afganistan, incident pa pasoja për Eagle 8

10/04/2014 00:00

Një incident është shënuar në Afganistan, ku janë përfshirë edhe forcat paqeruajtëse të misionit shqiptar “Eagle 8”.

Nga njoftimet fillestare, bëhet e ditur se autokolona e përbërë nga forcat shqiptare dhe forca amerikane është përballur me një mjet tjetër të drejtuar nga talebanë kamikazë, të cilët e kanë shpërthyer atë.

Nga shpërthimit raportohet se janë plagosur vetëm 2 ushtarë amerikanë, të cilët kanë marrë ndihmën e shpejtë dhe janë duke u mjekuar, ndërkohë që mjetet ku gjendeshin trupat shqiptare nuk kanë pësuar dëme.

Ngjarja, sipas njoftimit të publikuar edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes, ka ndodhur rreth orës 16:20 me orën lokale të Kandaharit. Autokolona përbëhej nga 3 automjete dhe vetëm i pari ka pësuar dëmtime, por gjithsesi ka mundur të manovrojë.

Zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes sigurojnë familjarët e ushtarakëve shqiptarë në Afganistan se trupat tanë janë shëndoshë e mirë dhe po vazhdojnë kryerjen me sukses të detyrave.

Top Channel