Marijuana shqiptare në Europë

08/04/2014 00:00

Marijuhana shqiptare pushton Europën. Kështu trajtohet në emisione televizive dhe gazeta italiane problemi i drogës që mbërrin nga Shqipëria në sasi përherë e më të mëdha, me mjete transporti gjithnjë e më të sofistikuara.

Si RAI, me emisionin ‘Porta a Porta’ të gazetarit Bruno Vespa, ashtu edhe edicioni i jugut i gazetës ‘Il Corriere della Sera’ e nisin udhëtimin e tyre nga Lazarati duke dhënë shifra tronditëse: të paktën 300 plantacione që sjellin të korrura mbi një mijë ton marijuhanë; me një fitim prej rreth 4 miliardë e gjysmë euro.

Llogaritet që vetëm një rrënjë marijuanë jep një fitim prej gati 300 eurosh. Zona e Puglias, për nga pozita e saj gjeografike është etapa e parë e drogës shqiptare. Gjatë vitit të kaluar në brigjet pulieze mes Brindizit dhe Leçes janë bllokuar 7 tonë marijuanë, ndërsa vetëm në tre muajt e parë të këtij viti sekuestrimet kanë arritur në katër ton.

Mjetet e përdoruara nga trafikantët për transportimin e drogës janë gjithnjë e më të larmishme, nga gomonet e fuqishme tek kanoet dhe motorrët e ujit. Por edhe kontrolli i palës italiane në bashkëpunim me atë shqiptare po bëhet gjithnjë e me i fortë dhe me pajisje moderne nga ajri dhe nga toka.

Top Channel