Gjiknuri: Sistemi energjetik në krizë

08/04/2014 00:00

Në tryezën me donatorë të sistemit energjetik, ministri Damian Gjiknuri
tha se energjia përbën pikën më të dobët të ekonomisë shqiptare.

“Kemi një sektor që vuan nga një deficit i madh monetar do të thotë që ka akumuluar borxhe të mëdha. Kemi kompani, të cilat performojnë të gjitha me humbje për shkak të mungesës së likuiditetit në sektor”, tha Gjiknuri.

Për përfaqësuesin e Bankës Botërore, Salvador Rivera për të dalë nga kjo situatë, vendit i nevojiten masa serioze nga përmirësimi i treguesve deri tek reformimi i modelit aktual të tregut.

“Veçanërisht KESH dhe Kompania e Shpërndarjes janë në gjendje të vështirë dhe nuk ka dyshim për këtë. Disa nga masat e rëndësishme që duhen ndërmarrë janë rritja e arkëtimeve, do të duhet reduktimi i nivelit të humbjeve dhe reforma të tjera në modelin aktual të tregut. Ne mbështesim reformat që Ministria po ndërmerr dhe jemi gati të mbështesim nivelin e investimeve që do të nevojiten”, tha Rivera.
 
Duke iu referuar rritjes së çmimit të Energjisë, ministri Gjiknuri tha se tarifat e reja nuk do të godasin konsumatorët familjare.

“Kostoja e energjisë të jetë sa më reflektive. Patjetër duke u kujdesur që çmimi asnjëherë mos godasë familjet dhe pikërisht që duam qëndrueshmërinë e cmimit, por duam njëkohësisht që edhe tehun e reformave tona ta orientojmë tek ndalimi i abuzimit me energjinë elektrike”, tha Gjiknuri.

Ndërsa përfaqësuesi i Bankës Botërore kërkoi mbrojtjen e grupeve vulnerabël.

“E vetmja mënyrë përmes së cilës sistemi të funksionojë është ndërhyrje serioze për shërimin e plotë të tij. Jemi dakord që sistemi energjetik në vend do të përmirësohet duke mbrojtur grupet vulnerabël'”, tha Rivera.

Top Channel