Droga e kapur në Durrës, mbi 2 mln euro në treg

08/04/2014 00:00

Të paktën 2 milion e 365 mijë euro llogaritet vlera e drogës së sekuestruar natën e kaluar në Portin Detar të Durrësit. Policia ka arrestuar drejtuesin e kamionit, shtetasin maqedonas Aco Nikolovski, 41 vjeç, me banim në Shkup, ndërsa ka deklaruar se droga e sekuestruar në kamionin maqedonas që po kalonte tranzit nëpër Shqipëri me një ngarkesë divanesh është në sasine 2 ton e 365 kilogramë.

Ngarkesa e ndaluar kishte si destinacion Italinë, në tregun me shumicë të së cilës 1 kg kanabis sativa, sipas burimeve policore, kap vlerën e 1 mijë eurove.

Nën drejtimin e Prokurorisë për Krimet e Rënda që po drejton hetimet për këtë rast të trafikimit ndërkombëtar të narkotikëve, si dhe në prani të përkthyesit dhe avokatit, maqedonasi, Nikolovski është marrë në pyetje dhe nga dëshmia e tij, si dhe veprimet e tjera proceduriale dhe operative është arritur në përfundimin se lënda narkotike ka si origjinë Maqedoninë dhe po kalonte tranzit në vendin tonë drejt shtetit fqinj.

Kamioni i markës “Scania” me targa SU 0172 SB, që në bazë të deklaratës doganore po transportonte 45 copë divane, iu nënshtrua kontrollit policor në Portin e Durrësit, ndërsa po kryente procedurat e ngarkimit në tragetin e  linjës Durrës-Bari.

Gjatë kontrollit rezultoi se brenda secilit prej divaneve ishin fshehur 50 pako kanabis në gjendje të tharë. 

Top Channel