Drejtori i Policisë së Durrësit Perlat Cullhaj hodhi poshtë akuzat publike të opozitës se ai ka mbështetur trafikun e bimëve narkotike.
Shkak për këto akuza është bërë një foto e tij në Facebook mes një fushe me kanabis, por zoti Cullhaj shpjegoi para Komisionit Hetimor se si ajo dhe foto të tjera janë bërë në vitin 2008 gjatë një operacioni për shkatërrimin e kanabisit, kur ai punonte tek sektori kundër krimit të organizuar në Gjirokastër.
“Fotoja është bërë gjatë shkatërrimit të drogës. Unë kam në zotërim edhe foto të tjera që tregojnë se kjo arë është shkatërruar pikërisht pas disa çasteve pas shkrepjes së fotos”, tha zoti Cullhaj.
Përsa i përket emërimit të tij, demokratët thonë se ai është bërë në kundërshtim me ligjin, pasi nuk ka patur gradën e duhur në kohën e emërimit nga Drejtori i Përgjithshëm, Hysni Burgaj, i njëjti drejtor që e kishte përjashtuar në prill të 2010-ës.
Arben Ristani, kryetar i Komisionit Hetimor: Ju jeni kryekomisar dhe ju kanë vënë në një pozicion pune që duhet të kishte gradën Drejtues i Parë. Mund të na shpjegoni pse në shkelje të ligjit kjo ka ndodhur?
Perlat Cullhaj, Drejtor i Policisë së Durrësit: Nëse është një shkelje ligjore, në rast se është, nuk është bërë nga unë, e ka bërë drejtori duke më emëruar dhe normalisht duhet të pyesni atë.
Kjo situatë u vërejt me disa drejtues të policisë në qarqe, ndërsa Nëndrejtori i Përgjithshëm i policisë Sokol Bizhga nuk vuri në dyshim për asnjë moment se mund të kishte shkelje të ligjit në emërimin e tij. Zoti Bizhga, i cili u pyet për më shumë se dy orë nga deputetët, i sfidoi ata kur deklaroi se ishte gati të jepte dorëheqjen, nëse dikush do të gjente shkelje në emërimin e tij.
“Ky është një kazus që ne nuk e zgjidhim dot këtu sepse unë e thashë nëse vërtet është shkelur ligji duke më emëruar mua si zv.drejtor unë nuk e kam problem fare të jap dorëheqjen dhe të kthehem në pozicionin që kam patur. Kjo nuk është shkelje”, tha zoti Bizhga.
Gjate seancave të gjata të Komisionit Hetimor ra në sy edhe ish-nëndrejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku. I pyetur nga deputetë socialistë për foton me një të dyshuar për vrasjen e kryekomisar Lamajt, zoti Rrumbullaku përsëriti kërkesën për Prokurorin e Përgjithshëm.
“I kam bërë thirrje dhe e përsëris prap dhe jam absolutisht ballëhapur që nuk kam të bëje me rastin. Të hetojnë mbi sfondin tim, jo vetëm në atë drejtim, por në të gjitha drejtimet”, tha zoti Rrumbullaku.
Top Channel