Çmimi i biletave të transportit publik

08/04/2014 00:00

Përcaktimi i tarifave për transportin urban tashmë do të jetë e drejtë e
pushtetit vendor. Komisioni i Ekonomisë ka miratuar me votat e shumicës
nismën e Qeverisë, e cila ngarkon këshillat vendorë për të vendosur
çmimin e biletave të transportit urban.

“Nga njëra anë kemi një kompetencë substanciale të pushtetit vendor për të lidhur kontratë shërbimi për këtë çështje, nga ana tjetër një element tjetër i kësaj kontrate që ishte tarifa, nuk e kishte në dorë autoriteti vendor, por i ishte lënë formalisht Qeverisë. Ne menduam, u konsultuam, arritëm në një proces, në një konkluzion që edhe këtë element të kontratës së shërbimit ta ketë në dorë Bashkia”, tha Ylli Manjani, zëvendësministër i Transporteve.

Drafti është kundërshtuar fort nga opozita, e cila votoi kundër tij. Deputetët e saj shpjeguan arsyet e këtij qëndrimi

“Ly ligj do të hapë një konflikt, nga i cili do të përpiqet të përfitojë Qeveria, por do ta pësojnë qytetarët”, tha deputeti demokrat Sherefedin Shehu.

“Në asnjë nga vendet e rajonit kjo kompetencë nuk ishte e pushtetit lokal nëse nuk ekzistonte një ent rregullator, për t’u siguruar që kjo e mirë dhe ky shërbim publik i ofrohej qytetarëve ashtu siç duhej. Eshtë e pamundur që Bashkia të luajë rolin rregullator dhe të përcatojë çmimet në treg”, u shpreh deputetja demokrate Jorida Tabaku.

“Ky zotëri që sot është kryetar i Bashkisë së Tiranës u ka rritur të gjithë qytetarëve të Tiranës çmimin e ujit me 60 për qind, natuyrisht me atë Entin Rregullator që e keni kthyer në politik. Ja kjo është e vërteta. Nuk mundet që tani që ne kemi ngelur për punë ditësh që të udhëtojmë me tramvaj në Tiranë, të mblidhet Qeveria për të përcaktuar çmimin e biletës së tramvajit. Eshtë e pamundur do ta kontraktojë Bashkia tramvajin”, tha kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe.

Kohët e fundit kompanitë e transportit urban kanë kërkuar disa herë rritjen e çmimit të biletave, veçanërisht në kryeqytet për shkak se sipas tyre çmimi aktual është nën kosto. 

Top Channel