Tiranë, përfundojnë banesat sociale

07/04/2014 00:00

Më në fund banesat sociale të ndërtuara në zonën e ish-uzinës së autotraktorëve në Tiranë janë gati për familjet në nevojë.

“Jemi plotësisht të gatshëm që 385 apartamentet t’i shpërndajmë në më shumë se 1.200 aplikime që janë bërë nga qytetarët e Tiranës që prej viteve ‘90. Iu bëj thirrje atyre që kanë aplikuar që të rifreskojnë dokumentacionin. Brenda javës ne do fillojmë dorëzimin tek qytetarët e Tiranës, sidomos tek shtresat në nevojë”, ka deklaruar nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo.

Çmimet e qirasë me të cilën do të jepen këto banesa do të përcaktohen në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak, e cila pritet të zhvillohet brenda muajit prill.

“Dhe sot i kemi propozuar Këshillit Bashkiak kriteret thelbësore për vendosjen e qerave minimale dhe maksimale dhe ato të të ardhurave minimale dhe maksimale, për të gjithë ata qytetarë që duan të përfitojnë nga banesat sociale”, ka saktësuar Bozdo.

Bozdo shpjegoi se këto banesa nuk ishin marrë në dorëzim derisa u mundësua furnizimi me ujë të pijshëm dhe energji elektrike i tyre, si dhe u shlyen borxhet e krijuara më parë.

Top Channel