Ligj kundër debitorëve në CEZ

07/04/2014 00:00

Kur Qeveria po përgatit masa të forta për ata që nuk paguajnë energjinë,
ndërtuesit shprehin shqetësimin lidhur me borxhet e akumuluara ndaj CEZ
për shkak se qytetarët që kanë blerë apartamentet e tyre i kanë lënë
kontratat e elektrikut në emër të aksionerit.

“Nga viti 1994 në vitin 2014, 10 % e njerëzve të pandërgjegjshëm kontratat i kanë lënë në emër të kompanive të ndërtimit. Janë 550 kompani që kanë minimumi i detyrimit për kompani 20 milionë lekë të vjetra dhe maksimumi 100 milionë lekë të vjetra’, tha Avenir Kika, nga Shoqata e Ndërtuesve të Tiranës.

Shoqata e Ndërtuesve thotë se në listën e këtyre klientëve rezultojnë në përgjithësi dyqane apo apartamente të qytetarëve që i kanë dhënë me qira dhe jetojnë jashtë vendit. Për këto raste ndërtuesit kërkojnë të mos penalizohet sipërmarrësi apo kompania por të veprohet mbi bazën e certifikatës së pronësisë.

“Ditën që ligji do të futet në fuqi, të gjithë drejtuesit e kompanive nuk do të dalin më jashtë Shqipërisë, nuk do të mund të regjistrojnë makinat e tyre dhe nuk do të bëjnë më asnjë transaksion.

Do të donim që në paketën e re ligjore, ne nuk kemi asnjë kundërshtim që të zbatohet me të gjitha sanksionet, por kur fillon dhe zbatohet sanksioni qytetarit t’i thuhet që të ndërrojë kontratën dhe ta bëjë në emrin e tij”, tha Kika.

Kryetari i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Eduard Shalsi tha se krahas kompanive serioze ka raste kur biznesi nuk ka plotësuar detyrimet ndaj klientëve dhe për këtë arsye ata nuk kanë kryer kalimin e kontratës në emrin e tyre.

Nga ana e saj kompania Cez sqaron se aplikimi për ndryshimin e kontratës kryhet nga ndertuesit se bashku me pronaret e apartamenteve. ‘Kompania nuk mund te nderhyje ne asnje rast pa aplikimin e ndertuesit qe ka kontraten e objektit’, thuhet në deklaratën e CEZ Shpërndarje.

Top Channel