Sekuestrohen 2 ton Kanabis

06/04/2014 00:00

Policia e Vlorës sekuestroi mesditën e së dielës 2 ton Kabanis në pyllin e Akernisë. Gjatë një operacioni të saj në bashkëpunim me Delta Forcë dhe Policinë Kufitare u arrestua në flagrancë një person.

Droga e paketuar ishte e vendosur në automjetin furgon, tip ‘Mercedez’, me ngjyrë të bardhë në zonën e ‘Hidrovorit’.

Burime të policisë thanë se automjeti ishte i vjedhur dhe përdorej me targa fallco. Gjatë operacionit të policisë ne pyllin e Akernisë, në komunën Nevoselë, u sekuestrua edhe një zetor ngjyre blu, i cili përdorej për të tërhequr gomonen nga bregu i detit për në brendësi të pyllit dhe anasjelltas.

Gjithashtu në të njëjtin vend u bllokua edhe një automjet 4×4 ‘Nisan Patrol’, pa targa, në të cilin u gjetën edhe 15 bidonë benzinë 30 litërsh që përdorej për të furnizuar mjetin lundrues.

Gjatë operacionit, i cili nisi që të shtunën në orën 6 pasdite, u arrestua në flagrancë një person, ndërsa janë shpallur në kërkim 5 të tjerë, identiteti i të cilëve ende nuk bëhet i ditur.

Hetimet vazhdojnë ne pyllin e Akernisë, ndërsa po kërkohet edhe për mjetin lundrues. Autoritetet mendojnë se gomonia është fshehur sapo është vërejtur prezenca e policisë në atë zonë.

Top Channel