Durrës, legalizimet e shtëpive pa leje

06/04/2014 00:00

Kryeministri Edi Rama ishte në zonën e ish-Kënetës në Durrës, e njohur si një nga zonat më informale, ku i shoqëruar nga ministrat e Zhvillimit Urban dhe Mjedisit si dhe kreu i ALUIZNI-t, shpërndau certifikatat e pronësisë për ndërtimet pa leje.

Kryeministri tha se qeveria është e vendosur t’i japë fund asaj që e quajti plagë të infektuar në vite: çështja e legalizimeve. Rama akuzoi qeverinë e ish-kryeministrit Berisha për zvarritje të këtij procesi duke përmendur këtu edhe tapitë false të shpërndara, sipas tij, në periudhë fushatash.

“Janë mijëra tapi të tilla për të cila familjet kanë paguar nga 2-3 herë, pa llogaritur ato që janë paguar për xhepat e atyre që iu vinin në shtëpi me metra e me letra sa herë afrohej fushata elektorale. Ju dhanë të famshmet “Shaban-tapi”, deklaroi Rama.

Kryeministri tha se legalizimet do të kryhen për të gjithë qytetarët, pa favorizime partiake, ndërsa u ndal edhe një herë tek procedurat e këtij procesi: “Kush paguan menjëherë ka 20% ulje nga çmimi plus mund të paguajë 30-50% në letra me vlerë. Pra, ai 4 milionëshi i vjetër që është mesatarja për t’u bërë pronar, ka një reduktim të madh. Kush nuk paguan menjëherë, por pas një viti, e merr përsëri legalizimin, por nuk përfiton pas një viti nga ulja. Kush nuk paguan as pas një viti, nuk përfiton më asnjë ulje.”

Më herët, kryeministri ishte në një tjetër zonë informale në Durrës, Maminas, ku bëri edhe atje ndarjen e tapive të legalizimeve.

Top Channel