Ministri i Energjisë Damian Gjinkuri dhe ai grek Janis Maniatis janë zotuar të rrisin bashkëpunimin energjetik mes dy vendeve, të cilat tashmë lidhen dhe nga projekte të përbashkëta strategjike.
“Diskutuam për projektet e përbashkëta, sic është projekti TAP me benefitin më të madh për të dyjat vendet, si dhe çështjet e bashkëpunimit të gazit dhe të naftës, pasi dhe Greqia edhe Shqipëria, sidomos në det kanë një strukturë të përafërt gjeologjike që mund t’i shërbejë shumë mirë të dy vendeve dhe mund të kthehet në një fushë e mirë për bashkëpunim të mëtejshëm në fushën energjetike”, tha Gjiknuri.
Zoti Gjiknuri vlerësoi se është me shumë rëndësi aktivizimi i komitetit për ujërat ndërkufitare dhe ka këmbëngulur se çdo diskutim mbi këtë çështje duhet të jetë transparent.
“Të dy vendet tona janë të vendosuar për të zgjidhur problemet që kanë lindur në një sërë çështjesh. Ne do të mbështesim Shqipërinë në rrugën e saj europiane. Janë një sërë programesh që nxisin bashkëpunimin dypalësh. Tashmë është momenti historik që të zgjidhim problemet dhe të të shikojmë të ardhmen me prosperitet”, tha Gjiknuri.
Ministrat Gjiknuri dhe Maniatis ranë dakord gjithashtu për ngritjen e grupeve të përbashkëta në nivel teknik për të diskutuar mbi mënyrat se si mund të shtohen format e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Greqisë në fushën e energjisë në tërësi, energjive të rinovueshme dhe sektorin e gazit.
Top Channel