CEZ: 4 mld arkëtime në mars

05/04/2014 00:00

CEZ Shpërndarje deklaroi se në muajin mars arriti të arkëtojë katër
miliardë lekë nga faturat e energjisë. Drejtuesit e saj thonë se ky
është rezultati më i mirë historik.

“Kjo vlerë arkëtimi është 7.7 për qind më e lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Rritje është shënuar edhe në nivelin e arkëtimit kundrejt faturës koherente nga 43.5 për qind në 51.6 për qind për periudhën janar-shkurt 2014. Po kështu rritje të konsiderueshme ka patur edhe në nivelin e arkëtimit kundrejt faturës totale, që nga 76.5 për qind e kemi cuar në 87.4 për qind për periudhën janar-shkurt 2014”, thotë Arben Pregja, nga CEZ-Shpërndarje.

CEZ thotë se përveç rritjes së arkëtimeve ka përmirësuar edhe treguesin e humbjeve në rrjet.

“Vetëm për muajin shkurt minimizuam me 6.58 për qind humbjet me rrjetin e shpërndarjes. U bëjmë apel abonentëve me debi të akumuluara që të vijnë sa më parë në sportelet tona, për shlyerjen e faturave, në të kundërt kompania do të veprojë në përputhje me ligjin. CEZ Shpërndarje konfirmon se do të vijojë aksionet kundër lidhjeve të paligjshme dhe abuzuesve me energjinë elektrike duke denoncuar dhe penalizuar çdo rast”, tha Pregja.  

Kompania e Shpërndarjes është një nga hallkat më problematike të sektorit energjetik. Qeveria ka ngritur një task force të posaçme për të disiplinuar treguesit negativ të kompanisë dhe paralelisht ka njoftuar një sërë masash ligjore për dënime më të ashpra ndaj atyre që abuzojnë me energjinë.

Top Channel