Situata hidrike, troket kriza e energjisë

04/04/2014 00:00

Sektori energjetik është rikthyer sërish si kërcënim për buxhetin dhe
financat publike të vendit. Kushtet e vështira hidrike dhe rezervat
minimale në basenet e hidrocentraleve e kanë vënë Qeverinë përballë
nevojës për të gjetur 100 milionë euro me urgjencë për të siguruar
importin dhe furnizimin e vendit me energji këtë vit.

Dy kompanitë e sektorit, si KESH ashtu edhe CEZ janë të rrënuara financiarisht dhe barra për të garantuar furnizimin me energji ka rënë sërish mbi buxhetin e shtetit ose garancitë qeveritare për kredi. Top Channel ka mësuar se Ministria e Financave prej një muaji është në negociata me Bankën Botërore dhe institucione të tjera për të siguruar fondet emergjente.

Aktualisht janë duke u shqyrtuar disa rrugë. Së pari është lëshimi i një garancie nga Qeveria në favor të KESH që do i mundësojë kompanisë publike të marrë kredi nga bankat private për të blerë energjinë. Ekspertët e Ministrisë së Financave shpresojnë se shlyerja e detyrimeve të prapambetura ndaj sipërmarrjes ka rritur likuiditetin në treg çka mund të favorizojë një zgjidhje të tillë.

Qeveria ka parashikuar një limit prej rreth 10 miliardë lekësh brenda kufirit të borxhit si garanci për sektorin energjetik këtë vit. Por kjo mund të mos jetë e mjaftueshme pasi një pjesë e garancive janë përdorur edhe për projekte të tjera që lidhen me transmetimin.
Ndaj paralelisht po shqyrtohet edhe një mundësi tjetër. Ajo e mbështetjes së drejtpërdrejtë të KESH me fonde nga buxhetit. Kjo do të kërkonte rritje e deficitit buxhetor dhe borxhit publik të vendit. Por përtej zgjidhjes që do të përcaktohet, kriza e sektorit energjetik mbetet rreziku më i madh i buxhetit për këtë vit dhe me të gjitha gjasat Qeveria do detyrohet të sigurojë para për të blerë energji.

Qytetarët do të thërriten sërish të kontribojnë përmes taksave. Ata që janë korrektë me faturat e energjisë, për herë të dytë, pasi e kanë paguar njëherë më parë faturën e tyre. Një situatë që vazhdon prej vitesh për shkak të keqmenaxhimit shumëvjecar të sektorit, kur këto para mund të ishin përdorur për të tjera qëllime.   

Top Channel