
Ministri shqiptar i Energjitikës, Damian Gjiknuri, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Athinë, ku pati bisedime me homologun e tij grek, Janis Manjatis. Të dy ata folën për bashkëpunimin dypalësh në çështjet energjitike, si dhe për projektet madhore europiane energjitike, siç është gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP).
Sipas zotit Manjanis, natyra u dha të dy vendeve, përveç fqinjësisë së mirë, edhe shtresa nëntokësore të njëjta, apo lumenj dhe liqene të përbashkët. Ndaj, duhet që të dy vendet të bashkëpunojnë për t’i shfrytëzuar së bashku këto të mira materiale, në të mirën e popujve tanë.
Manjanis deklaroi se shumë shpejt do të krijohen komisione të përbashkëta në nivel ekspertësh, të cilët do të merren me shqyrtimin e një sërë problemesh të administrimit të ujrave ndërkufitarë, të lumenjve, liqeneve ose burimeve, si dhe zgjidhjen e tyre në nivel teknik. Greqia mbetet e vendosur për të ndihmuar Shqipërinë në rrugën e saj europiane, ka përsëritur Manjanis.
“Po, patëm një takim pozitiv me mikun tim, Damian Gjiknuri. Të dy vendet tona janë të vendosuara për të zgjidhur problemet, që kanë lindur në një sërë çështjesh. Ne do të mbështesim Shqipërinë në rrugën e saj europiane. Janë një sërë programesh, që nxisin bashkëpunimin dypalësh. Tashmë është momenti historik, që të zgjidhim problemet dhe të shikojmë të ardhmen me prosperitet. Greqia do të ofrojë konsulencë për ngritjen në Shqipëri të tregut të gazit, duke dhënë kështu eksperiencën tonë në këtë fushë. Nuk është vetëm projekti TAP, i cili konsiderohet si strategjik për dy vendet, por edhe një sërë projektesh të tjera, për të cilat Greqia do të bashkëpunojë me fqinjin e saj, Shqipërinë”, ka thënë Janis Manjanis, ministri grek i Energjisë.
Nga ana e tij, edhe ministri shqiptar i Energjitikës, Damian Gjiknuri, u shpreh i kënaqur me bashkëpunimin midis dy vendeve tona. Ai tha se të dy vendet janë të vendosura për bashkëpunimin dypalësh, duke zgjidhur kështu të gjitha temat e hapura midis dy vendeve.
Në vazhdim, zoti Gjiknuri zhvilloi një takim me zv-ministrin e Jashtëm grek për çështjet ekonomike, Kostandinos Mihalos, si dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme greke. Të dy palët diskutuan për bashkëpunimin dypalësh, si dhe për një sërë çështjesh të karakterit ekonomik, që shqetësojnë të dy vendet.
Top Channel