BERZH mbështet marrëveshjen me FMN-në

04/04/2014 00:00

Gjatë prezantimit të raportit për tranzicionin nga Banka Evropiane për
Rindërtim dhe Zhvillim, kryeekonomisti i BERZH, Erik Berglof vlerësoi
marrëveshjen e shumëdebatuar, të nënshkruar mes Qeverisë shqiptare dhe
Fondit Monetar Ndërkombëtar.

“Mendoj marrëveshja me Fondin Monetar Ndërkombëtar ishte ekstremisht e rëndësishme duke përcuar sinjalin se rregullat kanë ndryshuar. Tani do të kemi rregulla më transparente, do të jenë më të qarta. Qeveria do të paguajë faturat e saj. Ka angazhim shumë serioz për përmirësimin e klimës së investimeve. Ndoshta nuk është ndërtuar shtëpia ende por po ndërtohen themelet dhe kati i parë. Duhet të keni këto themele para se të adresoni problemet e rëndësishme që keni në sektorin energjetik, reformën e pensioneve, huatë e këqija në sistemin financiar”, tha Berglof.

Kryeministri Edi Rama tha se dy burime të rëndësishme, nga të cilat varej ekonomia shqiptare, remitancat dhe ndërtimi kanë pësuar rënie. Në këto kushte, Kryeministri tha se Qeveria ka identifikuar fusha të tjera, të cilat do të përbëjnë burim të rëndësishëm sa i përket rritjes ekonomike.

“Ne kemi një burim shumë të rëndësishëm rritjeje tek energjia, nafta dhe mineralet, në rast se edhe aty do të jemi në gjendje të zhvillojmë një model të ri demokratik të tregut; tek turizmi, në rast se do të jemi në gjendje të identifikojmë ashtu si duhet llojin e turizmit që do të zhvillojmë. Përsa kohë kemi vazhduar me një model të zhvillimit të turizmit bazuar tek rrëmuja urbane dhe tek prurjet patriotike, është absolutisht e pamundur të imagjinojmë se kjo mund të jetë e qëndrueshme. Kemi një burim sigurisht edhe tek bujqësia”, tha Rama.

Përfaqësuesi i BERZH bëri thirrje t’i jepet fund konflikteve politike dhe të krijohen kushtet e përshtatshme përmes reformave ekonomike dhe politike për thithjen e sa më shumë investimeve. Në këtë pikë, zoti Bergof dhe zoti Rama theksuan nevojën e investimit në kapitalin njerëzor.

“Jemi vendi me volumin më të madh të diplomave pa vlerë. Klasifimin e fundit të shkollave tona të larta janë drithëruese dhe pa as më të voglin dyshim do të shkojnë duke u bërë ende më drithëruese, në rast se ne nuk do t’i japim fund një rruge rrënimi të kapitalit tonë njerëzor”, tha Rama.

 

Top Channel