Të shtunën 13 konkurentët e mbetur në garë për t’u shpallur ‘Mjeshtri i Kuzhinës’ në Shqipëri, do të vihen përballë sfidave të reja nën vlerësimin e strikt të tre mjeshtrave, Sokolit, Gëzimit dhe Renatos.
“Tre muskëtierët e MasterChef” ishin në panelin e emisionit të Pasdites në Top Channel, ku folën për përvojat e tyre në kuzhinë.
Sokoli i pari u ndal tek rëndësia e gatimit të ushqimeve sa më natyrale dhe sa më të shëndetëshme e të shijshme për t’u qëndruar larg yndyrnave, ndërsa Gëzimi foli për ekuilibrin e gjetur mes inxhinierit, që ka si profesion dhe kuzhinës.
Për Renaton pjesa më e madhe e kuzhinierëve shqiptarë duhet të vënë më shumë në punë fantazinë e tyre dhe të shmangin kopjimet nga kuzhinat e huaja, italiane apo greke.
“Ne jemi vend mesdhetar, ashtu si Greqia dhe Italia. Ato cfarë natyra jep atje, ato janë edhe tek ne. Pse të mos jemi origjinalë në kuzhinën tonë?”, thotë ai.
Sokoli u ndal tek gara e kuzhinës “MasterChef”. “Është një garë emocionuese. Me kalimin e kohës fryma e garës rritet, aq më tepër që të gjithë ata garojnë në një vijë duke e parë njëri-tjetrin se cfarë po bëjnë”.
Gara në Masterchef do të jetë edhe më e fortë mbrëmjen e së shtunës. 13 konkurrentët e kualifikuar do të vendosen përpara sfidave të reja në këtë fazë të re, tërësisht ndryshe me çka janë përballur më parë.
Sërish nën presionin e kohës, ata duhet të tregojnë sa të aftë janë të punojnë, por edhe të krijojnë. Shpejtësia dhe kreativiteti për realizmin e pjatës së duhur do të jenë vendimtare për të kaluar provën duke i shpëtuar eliminimit.
Do të jetë një i eleminuar për të mbetur kështu në garë 12 konkurrentët, të cilët do të vazhdojnë rrugën me sfida gjithmonë e më të vështira, drejt shpalljes së më të mirit: Masterchef!
Top Channel