Përkujtohet 2 Prilli në Shkodër

02/04/2014 00:00

Është përkujtuar në Shkodër demonstrata e 2 Prillit e vitit 1991, ku mbetën të vrarë katër dëshmorët e demokracisë në revoltën popullore kundër regjimit komunist.

Të pranishëm në këtë cermoni ishte kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ish-kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli, familjarë të katër dëshmorëve dhe drejtues të pushtetit vendor. Ceremonia përkujtimore nisi me vendosjen e kurorave me lule pranë memorialit.

“Vrasja e tyre në demonstratën e 2 Prillit ka dhembur dhe ka indinjuar më shumë sepse u vranë në befasi, prapa shpine, nga burracakëria dhe anti-shqiptarizmi”, deklaroi Basha.

Ndërsa deputetja e Shkodrës, Jozefina Topalli u shpreh se kjo është një ditë për të reflektuar, pasi vetëm protestat mund ta nxjerrin vendin nga mjerimi ku është futur dhe pasiguria e tritoleve.

“Sot më shumë se kurrë, kur politika e një dysheje oligarkësh është instaluar në vend, shqiptarët duhet të reflektojnë thellë për të reaguar ndaj varfërisë e mjerimit, por mbi të gjitha për të ardhmen e fëmijëve të tyre dhe vendit tonë. Vetëm në këtë mënyrë ne mund të mbajmë premtimin për të cilin lindi PD”, tha Topalli.

Aktivitetet përkujtimore për 2 Prillin kanë vazhduar në teatrin “Migjeni” të Shkodrës dhe me vizita tek familjet e dëshmorëve të rënë.

Top Channel