Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka organizuar mbrëmjen e së martës një pritje në Pallatin e Brigadave me rastin e 5-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Në pritje ishte e pranishme ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha, ish-kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli si dhe politikanë e diplomatë të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.
Në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë, presidenti Nishani e ka cilësuar anëtarësimin në NATO si një arritje plotësisht të merituar: “Jam i bindur se anëtarësimi në NATO ka qenë një arritje strategjike e merituar. Dua të përsëris se në më shumë se dy dekada përpjekjeje për ndërtimin shumëpartiak të shtetit të së drejtës, një nga vlerat e gjithëpranuara që ka krijuar klasa politike shqiptare ka qenë qëndrimi i përbashkët përsa i përket çështjeve të sigurisë kombëtare. Kjo ka shërbyer si shtyllë themelore në procesin e anëtarësimit në NATO.”
Ndërsa ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Alexander Arvizu, i ka përcjellë presidentit Nishani urimet e dërguara përmes një letre nga Sekretari amerikan i Shtetit, zoti John Kerry.
“Në emër të presidentit Obama dhe popullit amerikan, unë përshëndes këtë përvjetor. Dyert e NATO-s mbeten të hapura për të gjitha vendet europiane që janë në gjendje të marrin përsipër detyrimet e anëtarësimit. Sfida jonë është që të punojmë drejt një Europe të lirë dhe në paqe”, tha Arvizu.
Në këtë pritje mungonin kryeministri Edi Rama dhe kreu i Parlamentit Ilir Meta, të cilët ndodhen në vizita zyrtare jashtë shtetit.
Top Channel