2013, rriten investimet e huaja

02/04/2014 00:00

Të dhënat surprizë nga Banka e Shqipërisë tregojnë se me gjithë pasigurinë
e krijuar nga kriza por edhe zgjedhjet, investimet e huaja direkte
arritën vitin e kaluar nivelin më të lartë historik.

Sipas Bankës Qëndrore në 2013-ën kompanitë e huaja investuan në Shqipëri, rreth 923 milionë euro me një rritje prej 38.6 për qind krahasuar me një vit më parë. Ky është niveli më i lartë historik, si në vlerë ashtu dhe në peshë specifike ndaj ekonomisë, ku për herë të parë Shqipëria thith nga investimet e huaja rreth 10 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Banka e Shqipërisë nuk ka bërë publike të dhënat e detajuar sipas sektorëve, por burime brenda saj bëjnë të ditur se fluksi më i madh hyrës, më shumë se gjysma e tyre janë në sektorin e naftës.

Rritja e fortë e investimeve të huaja duket se ka tejkaluar edhe pritshmëritë më optimiste në kushtet kur 2013 ishte viti më i vështirë për ekonominë shqiptare në gati dy dekada dhe njëkohësisht një vit elektoral, ku përgjithësisht besimi i investitorëve struket dhe pasiguritë rriten. Madje të dhënat tregojnë se rritja më e madhe ka ndodhur pikërisht në tremujorin e dytë dhe të tretë, në kulmin e fushatës elektorale dhe periudhës së rrotacionit.

2013, bien ndjeshem remitancat

Por investimet nga kompanitë e huaja ka qenë treguesi i vetëm pozitiv në marrëdhëniet e ekonomisë me jashtë, përjashto eksportet. Dy zërat e tjerë më të rëndësishëm, të ardhurat nga emigrantët dhe ato nga turizmi vijojnë ecurinë negative.

Të dhënat tregojnë se paratë e dërguara nga emigrantët që punojnë jashtë ranë me 26.3 për qind krahasuar me një vit më parë duke cekur minimumin historik. Në vlerë rënia është 178 milionë euro dhe ndaj Prodhimit Kombëtar dërgesat kanë rënë tashmë nën 5 për qind duke ndrydhur të ardhurat e familjeve që përfitojnë nga to. Paralelisht edhe turizmi duket se nuk ka patur një vit të mirë. Të ardhurat nga ky sektor sipas Bankës së Shqipërisë ranë për të 5 vit me radhë me rreth 3.3 për qind, ose 45 milionë euro më pak.

Top Channel