Turizmi, interesim i operatorëve turq

01/04/2014 00:00

Eksplorimi dhe njohja më nga afër e potencialeve turistike që ofron vendi ynë ishte në fokus të vizitës që një grup operatorësh turistikë nga Turqia po zhvillojnë në Shqipëri.

Nën kujdesin e Agjencisë Kombëtare të Turizmit ata u takuan me operatorë turistikë shqiptarë me të cilët shkëmbyen informacione lidhur me historinë dhe vendet që mund të përbëjnë interes për t’u vizituar nga turistët turq.

Sipas të dhënave të Shoqatës Turke ‘Tursab’, gjatë një viti, Ballkani vizitohet nga 1 milion turistë turq të cilët vlerësohen si potencial edhe për të vizituar vendin tonë.

Përfaqësues të delegacioni turk deklaruan gjatë takimit se turistët turq janë të interesuar të vijnë të eksplorojnë Shqipërinë, duke vlerësuar resurset e mëdha natyrore dhe kulturore të vendit tonë.

Gjatë qëndrimit dy-ditor në vendin tonë, delegacioni turk do të vizitojë disa nga atraksionet më të rëndësishme historike dhe monumentet e kulturës, përmes tureve njohëse dhe informuese të përgatitura nga Agjencia Kombëtare e Turizmit.

Top Channel