Festivali i Librit dhe i Artit

01/04/2014 00:00

Festivali i Librit dhe i Artit do të zhvillohet për herë të parë në kryeqytet nga data 23-27 prill, pranë Muzeut Kombëtar.

Ky event zhvillohet nga “Shoqëria e Librit Shqip” dhe përfshin botimet shqiptare dhe artet pamore. Sa i përket librit, deri më tani janë 45 botuesit pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia.

“Do të doja që edhe me ndihmën e gazetarëve të ftojmë sa më shumë njerëz për të vizituar këtë festival që organizohet për herë të parë në Shqipëri. Do të ketë shumë aktivitete: art pamor, animime muzikore, forume për letërsinë, lexime nga aktorë dhe promovime librash. Le ta bëjmë këtë aktivitet sa më gjithëpërfshirës”, deklaroi Arlinda Dudaj.

Festivali i artit i quajtur “Pamur” do të kurohet nga profesor Vladimir Myrtezaj: “Tema e arteve pamore është “një galeri, një autor”. Të gjithë korrentet artistike në vendin tonë dhe Kosovë do të kenë mundësi të shfaqen në Tiranë.”

Në Festivalin e Librit dhe Artit, partner mediatik i të cilit është Top Channel, do të ndahen dy çmime: puna më e mirë në artet pamore do të vlerësohet me çmimin “Danish Jukni”, ndërsa autori i vitit me çmimin “Ardian Klosi”, publicisti i cili sipas organizatorëve të festivalit ishte dhe një prej ideatorëve të tij.

Top Channel