Biznesi kundër skanimit në dogana

01/04/2014 00:00

Biznesi është vënë në alarm nga kostot që do të sjellë koncesioni i skanimit në dogana. “Biznes Albania” i ka kërkuar zyrtarisht qeverisë të ndërhyjë për të mos lejuar hyrjen në fuqi të këtij koncesioni.

“Ngrirjen e hyrjes në fuqi të këtij ligji për skanimin deri sa të kemi një përgjigjje të plotë për të ardhmen e këtij projekt-ligji. Së dyti anulimin e këtij koncesionari nga mazhoranca aktuale e cila ka ardhur në pushtet me zotimin për prishjen e koncesioneve monopol. Së treti, nxjerrjen e përgjegjësisë ligjore për hartuesit, propozuesit, miratuesit e këtij koncesionari vrasës për sipërmarrjen private”, deklaroi Luan Bregasi nga “Biznes Albania”.

Vitin e kaluar ish-qeveria e djathtë ja dha monopolin e skanimit në dogana një kompanie me emrin ‘Rapiscan’, e cila do i marrë biznesit 39 euro për cdo deklaratë doganore në import, eksport dhe madje edhe tranzit. Kontrata, e cila ka ngjallur panik tek sipërmarrja pritet t’i kushtojë biznesit dhe qytetarëve rreth 20 milionë euro në vit, por në industri të caktuara si fasoni, pasojat sipas biznesit do të jenë të papërballueshme.

“Kjo i bie që të shkatërrosh një sektor që ka 22 vjet që mundohet të rimëkëmbet dhe të ringrihet. Sot që gjithë Europa i ka sytë nga ky sektor, sot në vëmë një taksë të këtillë që asnjë nuk mund ta pranojë që të hyjë në Shqipëri dhe të pranojë një taksë të tillë”, thotë Donika Mici, fabrika e këpucëve “Doniana”.

Koncesioni duhet të kishte hyrë në fuqi këtë të martë në datë 1 prill. Por Top Channel ka mësuar se qeveria e ka pezulluar përkohësisht kontratën dhe është duke negociuar me kompaninë koncesionare tarifat, por edhe kushtet e koncesionit të kundërshtuar me forcë nga të gjitha grupet e interesit.

Shumë ekspertë mbeten skeptikë mbi rezultatin e negociatave dhe mundësinë që ato të sjellin kushte më të mira për konsumatorët dhe biznesin. Kjo pasi kontrata e nënshkruar nga qeveria e mëparshme është gati e blinduar dhe në rast prishje të njëanëshme, shteti shqiptar duhet t’i paguajë firmës  74 milionë euro, një kosto që do të trondiste jo pak buxhetin dhe financat e qeverisë.

Top Channel