Reduktimi i vjedhjes së energjisë

31/03/2014 00:00

Pjesa më e madhe e energjisë elektrike vazhdon të vidhet, duke i
shkaktuar shtetit një humbje vjetore prej 200 milionë dollarësh.

Megjithatë në analizën e punës së kompanisë ‘CEZ Shpërndarje’, ministri i Energjisë Damian Gjiknuri tha se krahasuar me shkurtin e një viti më parë, treguesit e humbjeve dhe arkëtimeve janë përmirësuar.

“Gjëja e parë e rëndësishme është reduktimi i humbjeve që në muajin shkurt, arriti në 6 për qind. Arkëtimet kanë një rritje nga 3.2 miliardë në shkurt të 2013, 3.8 miliardë në shkurt të këtij viti. Eshtë një tregues domethënës që janë gati 6 milionë dollarë të mbledhura më shumë”, tha Gjiknuri.

Për të luftuar vjedhjet e energjisë, ministri Gjiknuri tha se masat e ndërmarra do të jenë të ashpra që nga ndërprerja e shërbimeve për konsumatorët debitorë, deri tek dënimi me burg.

“Kodi Penal, pasi të kalojë në Parlament do të parashikojë dënim me burg për të gjithë abuzuesit e energjisë, sidomos ata konsumatorë tregtarë, të cilët e përdorin energjinë për qëllime fitime, duke i shkaktuar shtetit miliona lekë dëme në vit. Do të kalojmë një paketë tjetër ligjore, ku pagesën e energjisë elektrike do ta bëjmë prioritare”, tha Gjiknuri.

Në këtë pikë, ministri Gjiknuri u tregua i ashpër dhe me të gjithë ata punonjës që bashkëpunojnë në vjedhjen e energjisë.

“Nuk mundet të përballojë më publiku deficin për shkak të disa hajdutëve që bashkëpunojnë për të favorizuar njerëz të caktuar, në kurriz të publikut dhe të kompanisë. Kësaj gjëje duhet t’i jepet fund”, tha Gjiknuri.

Ndërsa administratori i CEZ Shpërndarje, Arben Seferi renditi masat e marra për të përmirësuar gjendjen e kompanisë, mes të cilave dhe ndëshkimin e punonjësve abuzues.

“Do të ketë transparencë të plotë për shlyerjen e energjisë për debitorët. Do të priten linjat abuzive dhe pa kriter. Kush shkel ligjin do ndëshkohet”, deklaroi Seferi. 

Top Channel