Një eskursion për argëtim ka përfunduar të dielën në tragjedi në Kanionet e Erzenit. Dy të rinj kanë rrëshqitur drejt lumit dhe vetëm njëri prej tyre ka arritur të shpëtojë.
Sipas burimeve zyrtare nga policia, dy djemtë rrëshqiten teksa iu afruan lumit për të larë duart. Njëri prej tyre është rrëmbyer nga rrjedha e lumit, ndërsa tjetri arriti të shpëtojë pasi u kap në një shkëmb dhe më pas u tërhoq sipër nga shokët.
18-vjeçari bashkë me grupin mbi 50 veta ishin organizuar në rrjetin social “Facebook” për të zhvilluar një eskursion për në Shpellën e Pëllumbasit në veri-lindje të Tiranës.
Pasi përfunduan eksplorimin e shpellës, një grup prej rreth 20 personash nuk u kthyen pas, por vendosën të zbresin poshtë për të vizituar kanionet e Lumit Erzen. Edhe pse janë paralajmëruar disa herë, pasi lumi në këtë periudhë është shumë i furishëm, të rinjtë kanë vendosur të vazhdojnë udhëtimin.
Ngjarja ka ndodhur të dielën rreth orës 14:00.
Në lidhje telefonike me emisionin e Pasdites në Top Channel, një pjesëtar i Forcave Speciale RENEA, që janë organizuar në operacionin e kërkim-shpëtimit në kanionet e Erzenit tha se kërkimet po vazhdojnë.
“Forcat speciale RENEA kanë mbërritur këtu dje rreth orës 16:00. Aksidenti mund të ketë ndodhur rreth orës 13:00. Rreth orës 20:00 kërkimet janë ndërprerë për shkak të rënies së natës dhe kanë rinisur sot në mëngjes. Polumbarët janë ndarë në 3 grupe, nëpër basene, uji është i turbullt dhe uji është shumë i ftohtë dhe ngjarja është pak metra nga burimi kryesor i lumit, në një terren të papërshtatshëm për kërkimin. Grupi tjetër ka bërë kërkimin në një basen tjetër”, tha në kushte anonimati pjesëtari i forcave RENEA, duke shtuar se kërkimet do të vazhdojnë.
Top Channel