Bashkëpunimi ekonomik me Brazilin

31/03/2014 00:00

Eksplorimi i mundësive të investimit në Shqipëri ishte në fokus të vizitës që një delegacion nga Brazili i largët zhvilloi gjatë ditës së sotme në Tiranë.

Rreth 20 sipërmarrës me eksperiencë në fusha të ndryshme, si energjia dhe turizmi, nënshkruan një marrëveshje me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë me qëllim evidentimin e sektorëve të investimit në Shqipëri dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve.

“Shkëmbimet tregtare me Brazilin, për vetë pozitën gjeografike, nuk janë në nivelet e duhura. Por ekzistojnë mjaft mundësi për të rritur bashkëpunimin në fusha si energjitika, burimet minerale, bujqësia dhe agropërpunimi, turizmi elitar, etj”, deklaroi kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka.

Ndërsa zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Brunilda Paskali tha se po punohet në drejtim të përmirësimit të klimës së biznesit. Duke ftuar sipërmarrësit të investojnë në Shqipëri, zonja Paskali tha se çështje si burokracia, korrupsioni, vonesa kohore dhe shpenzimet e panevojshme të biznesit në Shqipëri po trajtohen me përparësi për t’i eleminuar në një kohë sa më të shkurtër.

Top Channel