Trajnim doganierëve dhe tatimorëve

29/03/2014 00:00

Qeveria ka shpallur të ashtuquajturën ‘Akademi Fiskale’, që do të
trajnojë punonjësit e tatimeve dhe doganave, me qëllim rritjen e
profesionalizmit në shërbim të taksapaguesve.

“Në prill, maj dhe qershor të gjithë inspektorët e doganave, të gjithë inspektorët e tatimeve, po sigurisht dhe gjithë inspektorët e Agjencisë Kombëtare të Ushqimit, të gjithë inspektorët e strukturave të tjera që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me sipërmarrjen, të kalojnë nga ky proces. Të zhvillojnë intensivisht këtë kurs që unë po e them, ndoshta pak brutalisht, por i tillë është, kundër analfabetizmit fiskal”, tha Kryeministri Edi Rama.

Shefi i Qeverisë ka siguruar sipërmarrjen private se nuk do të ketë më gjoba arbitrare ndaj tyre.

“Eshtë turpi më i madh për shtetin tonë, por sigurisht është edhe një dëm i jashtëzakonshëm për shoqërinë tonë, që sot dhe kush e di prej sa vitesh nuk shohin një ngjarje të vetme, ku sipërmarrësi të shihet dhe të paraqitet përpara shoqërisë, si shembulli i suksesit, përkundrazi, çdo sipërmarrës i ikën si djalli temjanit dritët së skenës nga fakti se kjo dalje në dritë do të sjellë të nesërmen në derë tatimorët, xhandarët, madje edhe krimin e organizuar, për të vendosur secili në qejf të vet gjoba arbitrare dhe për t’ia marrë shpirtin deri në fund”, tha Rama.

Në këtë pikë edhe Ministri i Financave, Shkëlqim Cani tha se administrata e re nuk do të jetë më ajo e ngritjes së traut, siç u shpreh ai, por e sigurisë ndaj biznesit.

“Qeveria e Aleancës për Shqipërinë Europiane është pozicionuar qartë dhe prerë për një administratë fiskale, ndryshe nga ajo e ngritjes së traut për xhepin e vet dhe të inspektorëve për kuletën e vet. Eshtë pozicionuar fort në programin e vet për një qasje inovative ndaj biznesit”, tha Cani.

E pranishme në ceremoninë e nisjes së ciklit të trajnimeve të administratave tatimore e doganore, Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha vuri theksin se pa këtë proces integrimi në BE është i pamundur.

“Pa njerëz të edukuar dhe të trajnuar mjaftueshëm, Shqipëria nuk do të jetë në gjendje të konkurrojë në një ekonomi globale të pakufijtë, Pra, ky proces që nisim sot duhet parë në këtë kontekst,një hap përpara në përmirësimin e administratës publikes, një hap përpara në përmirësimin e shërbimeve publike për qytetarin dhe biznesin shqiptar dhe një hap përpara në procesin e integrimit”, tha Gjosha.
 
Në përfundim të ciklit të trajnimeve, punonjësit e tatimeve e doganave do t’i nënshtrohen testimeve që do të përcaktojnë dhe vijueshmërinë e punës së tyre në institucionet përkatëse.

Top Channel