Lame i përgjigjet akuzave të opozitës

29/03/2014 00:00

Në Bibliotekën e qytetit të Lezhës është bërë ceremonia e ndarjes së lejeve të para të legalizimit nga qeveria Rama për këtë qark.

Në këtë aktivitet ka marrë pjesë Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina Gjermeni, Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, Drejtor i Përgjithshëm e ALUIZNI-t Artan Lame, deputeti i Lezhës Arben Noka si dhe kreu i ALUIZNI-t Lezhë, Pashk Luka.

Lame ka shpjeguar ligjin e ri për legalizimin që pritet të kalojë në komisionet parlamentare. Ai ka kërkuar nga shqiptarët besim tek reforma, e cila nuk është bërë asnjëherë në 15 vite proces. ALUIZNI Lezhë kishte përgatitur 12 dosjet e para, të cilat u shpërndanë nga të ftuarit. Qytetarët që sot arritën të merrnin dosjet për të cilat kishin paguar kohë më parë, kanë vlerësuar qeverinë Rama për premtimin e mbajtur në këtë proces.
Lame iu përgjigj dhe akuzave të opozitës për pajisjen me leje për një hotel në Tiranë.

“Nëse bëhet fjalë për një nga shumë, e shumë, e shumë raste që kanë ardhur dosjet për legalizim le të gjejnë një gjysëm letre që është në kundërshtim me ligjin. Një gjysëm, jo një, dhe le ta çojnë në të gjitha instancat që duan. Të gjitha këto bëhen thjesht për të tërhequr vëmendjen nga ajo që po ndodh këto ditë. Fakti që edhe ju nuk po pyesni për legalizimet, por po pyesni për broçkullat që thotë PD-ja tregon që ata po ja arrijnë qëllimit. Qëllimi im është ky; ne do të bëjmë legalizimi, ne do t’i bëjmë falas, kush ka ankesa le të vijë tek ne”, tha Lame.

Top Channel