Kryeministri Edi Rama së bashku me bashkëshorten Linda janë në pritje të një fëmije. Pavarësisht se ata kanë preferuar ta mbajnë lajmin e shtatëzënisë si dicka tejet private dhe vetëm për një rreth të ngushtë miqsh, lajmi i gëzuar nuk ka mundur të qëndroj sekret për shumë gjatë.
Top Channel u interesua pranë familjes së Kryeministrit që konfirmoi zyrtarisht se Edi dhe Linda Rama presin një fëmijë. Krahas Lindës dhe Edit, kjo ngjarje në familjen e tyre, është pritur me shumë gëzim prej Gregut dhe Reas, dy fëmijët e çiftit kryeministror.
Duke dashur që gjithcka të mbetet private familja Rama nuk ka dhënë detaje të tjera. Gëzimin të natyrshëm nga pritja e një fëmije Edi Rama e ka shprehur në promovimin e librit të Rudina Xhungës; Kryeministri është parë një moment t’i përkëdhelë me dorë barkun Lindës, veprim që nuk i ka shpëtuar personave atë mbrëmje që u ndodhën pranë tyre.
Linda Basha dhe Edi Rama kurorëzuan dashurinë e tyre nëpërmjet një ceremonie martesore në vitin 2010. Në intervistën e tyre të parë disa ditë përpara dasmës, për emisionin Top Story të Sokol Ballës, Linda u shpreh se “Për t’u takuar jemi takuar shumë vonë, atëherë kur Edi filloi të ndryshonte Tiranën, ndërsa Edi Rama e përshkroi dashurimë mes tyre me këto fjalë:
“Dashuria e verbër dhe sytë e hapur janë një zgjedhje e goditur”.
Kjo zgjedhje e goditur, sic e përshkruan Rama, pritet të kurorëzohet edhe me një fëmijë.
Top Channel