Rritet shkëmbimi tregtar

28/03/2014 00:00

Pas një rënie të lehtë në janar, eksportet shqiptare i janë rikthyer
trendit të fortë rritës. Të dhënat e fundit zyrtare nga Instituti i
Statistikave tregojnë se në shkurt eksportet u rritën me 27,8 për qind
krahasuar me një vit më parë.

Në vlerë, shtesa është rreth 45 milionë dollarë. Shifrat tregojnë se rritja është udhëhequr nga eksportet e industrisë së fasonit, ato të grupit të mineraleve lëndë djegëse dhe energji, por edhe ushqimet. Si dymujor për periudhën janar-shkurt, Shqipëria ka eksportuar rreth 381 milionë dollarë nga 340 që ishte shifra e të njëtës periudhë të vitit të kaluar.

Por veç eksporteve, të dhënat tregojnë se rritje në rend dyshifror ka patur edhe në krhaun tjetër, atë të importeve. Sipas INSTAT, në shkurt importet totale u rritën me 17 për qind të udhëhequra nga grupi lëkurë dhe artikuj prej tyre si dhe lëndët djegëse dhe energjia.

Në total si dy mujor importet këtë vit janë rritur me mbi 9 për qind duke përmbysur tendencën rënëse të nisur që nga viti 2011. Ndonëse rritja më e madhe e importeve i dedikohet energjisë elektrike, të dhënat tregojnë se rritje ka patur edhe për zërat e tjerë. Një sinjal ky që jep shpresa për ringritjen e konsumit dhe investimeve edhe pse një ditë më parë Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë u shpreh jo fort optimist për këta tregues.

Top Channel