Cani: Pagesat e borxheve, do ndikojnë në rritjen ekonomike

27/03/2014 00:00

Qeveria shqiptare do të shlyejë brenda tre muajve të ardhshëm rreth 350
milionë dollarë fatura të prapambetura ndaj bizneseve, dhe shpreson për
inkurajimin e rritjes ekonomike. Deklarata ka ardhur nga kreu i
Financave, Shkëlqim Cani në një intervistë për agjencinë e lajmeve
“Reuters”.

Në total borxhi i qeverisë ndaj bizneseve arrin në 720 milionë dollarë, që daton që në vitin 2005 dhe është i barabartë me 5.3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Pjesa më e madhe e borxhit është ndaj kompanive të ndërtimit për rrugët, shkollat dhe spitalet, ndërsa qeveria Socialiste ka filluar shlyerjen graduale në muajin dhjetor.

Në intervistën për “Reuters”, ministri Cani u shpreh se duke nisur nga Prilli çdo javë do të paguhen nga 35 milionë dollarë fatura të prapambetura, ndërsa pjesa tjetër e borxhit rreth 370 milionë Dollarë do të paguhet gjatë viteve të adhshme.

Ministri Cani foli për huanë e FMN-së, ndërsa tha se Shqipëria është duke pritur kredi të tjera të huaja këtë vit. Kredia e FMN do të pasohet nga 200 milionë dollarë financim nga Banka Botërore në maj, dhe Shqipëria gjithashtu është duke negociuar një kredi prej 50 milionë eurosh me Komisionin Evropian.

Top Channel