Një çmim europian për letërsinë e re shqiptare

25/03/2014 00:00

Një çmim europian për talentet e reja! Një mundësi më shumë për të fituar një emër dhe një personalitet në fushën e letërsisë në të gjithë Europën! Një hapësirë për të promovuar kulturën dhe talentin e autorëve të rinj shqiptarë pa dallim moshe, por duke u fokusuar vetëm tek letërsia e re shqiptare.

“Çmimi Europian i Letërsisë”, i kryesuar nga “Federata Europiane e Botuesve”, është dhënë për herë të parë në vitin 2009.
Shqipëria për herë të parë këtë vit ka marrë të drejtën e konkurimit krahas shumë vendeve e kulturave të tjera europiane. Në janar të 2014-s u përzgjodh Juria Kombëtare për Shqipërinë, Shoqata e Botuesve Shqiptarë, e cila ka fituar të drejtën e përzgjedhjes së autorit më të mirë shqiptar.
Janë 5 kritere kryesore për përzgjedhjen e fituesit. Së pari, autori i përzgjedhur duhet të jetë shtetas shqiptar. Së dyti, çmimi u jepet autorëve “talente të reja”, jo përsa i përket moshës, por krijimtarisë. Së treti, autori i përzgjedhur duhet të ketë botuar 2-4 libra artistikë. Së katërti, librat duhet të jenë botuar brenda 5 vjetësh nga dhënia e çmimit dhe veprat e autorit fitues nuk duhet të jenë përkthyer më parë në më shumë se 4 gjuhë të huaja. Së pesti, autorët duhet t’i kenë botuar librat e tyre pranë një shtëpie botuese, jo në mënyrë vetjake.

13 fituesit për vitin 2014 do të shpallen për herë të parë gjatë ditëve të Panairit të Frankfurtit, ndërsa ceremonia zyrtare e ndarjes së çmimeve do të zhvillohet në Bruksel në datën 18 nëntor.

Libri fitues përkthehet në disa gjuhë të huaja duke krijuar kështu mundësinë për të pasur një audiencë ndërkombëtare.

Marica Bodroziç ka përfaqësuar Gjermaninë. Ajo ka fituar çmimin europian të 2013-s me veprën “Kirschholz und alte Gefühle“. Ka lindur në Svib të Kroacisë, por u transferua në Gjermani në moshën 10-vjeçare. Gjermanishtja u bë gjuha e krijimtarisë së saj, në një kohë që edhe çmimet e fituara kanë qenë të shumta. Kjo vepër është duke u përkthyer edhe në gjuhën shqipe.

Kurse autorja franceze  Laurence Plazenet është fituese e po këtij çmimi në vitin 2012 me “L’amour soul”. Ka lindur në Paris, ka studiuar në Princeton dhe e ka filluar karrierën e saj si profesoreshë në Sorbone. Edhe vepra e Plazenet pritet të përkthehet e botohet së shpejti edhe për lexuesin shqiptar.  

Top Channel