Kontrolli mbi Tatimet, deputetët në dilemë

25/03/2014 00:00

Një propozim i Kontrollit të Lartë të Shtetit, për të patur më shumë
akses në të dhënat e tatimeve ka futur në ngërç kushtetues ligjin e ri
për këtë institucion.

Erjon Brace, kryetar i Komisionit të Ekonomisë: Ju kërkoni që të shkoni deri tek personat fizikë, subjektet private, nuk mund të miratohet…

Bujar Leskaj, kryetar i KLSH-së
: Unë kërkoj të auditoj vlerësimin tatimor…

Braçe: Po ky vlerësim me kë do të krahasohet për t’u parë nëse është i rregullt apo jo? Me deklaratën e biznesit? Epo kjo nuk duhet të ndodhë.

Prej katër vitesh Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Drejtoria e Tatimeve janë në një konflikt të thellë institucional dhe ligjor, aq sa tatimet nuk e lejojnë KLSH-në të kontrollojë asnjë dokument.

“Shihni se çfarë përgjigje kthen kryetari i një dege tatimore: ‘Audimi juaj bie në kundërshtim me ligjin dhe udhëzimit nxjerrë në zbatim të tij, pasi Drejtoria Rajonale Tatimore nuk nxjerr informacion që kanë të bëjnë me tatimpaguesit, detyrimet dhe pagesat e tyre, regjistrat e debitorëve, listën e subjekteve të regjistruara apo certifikuara etj'”, tha Leskaj

Tatimet janë shndërruar praktikisht në një institucion pa kontroll dhe kjo ka rritur shqetësimin për abuzime, siç ishin rastet e konstuatara me rimbursimin e TVSH-së. Ridvan Bode propozon që KLSH të ketë akses tek deklaratat e subjekteve private, por me dy kufizime.

“Kufizimi i parë që nuk duhet të bëjë dhe nuk mund të bëjë vizita fiskale tek subjektet dhe kufizimi tjetër, që në rekomandime nuk mund të përfshihen rekomandime për subjektet private, që kanë të bëjnë me rivlerësime apo më rritje të të ardhurave”, tha Bode.

Komisioni nuk arriti ta votojë ligjin për shkak të ngërçit të krijuar nga neni me tatimet dhe vendosi t’i drejtohet Komisonit të Ligjeve. Por çështja me tatimet duket se do të mbetet një pikë e nxehtë e draftit dhe një shqetësim i madh publik, për atë se kush është gardiani i administratës fiskale shpesh e zhytur në skandale financiare.  

Top Channel