Burg për ata që vjedhin energji

25/03/2014 00:00

Sipërmarrësit që vjedhin energjine elektrike do të dënohet deri në 5 vjet burg.

Qeveria ka bërë gati një amendament për të ndryshuar kodin penal, i cili ashpërson fort masat për ata që vjedhin energjine elektrike, si për biznesin ashtu dhe për familjarët. Drafti që në fillim përcakton qartë se vjedhja e energjisë elektrike nuk do të konsiderohet më si kundravajtje penale, por do të quhet automatikisht krim, i cili dënohet me burgim.

Në ligjin ekzistues ky përkufizim ka qenë i paqartë, pasi në nenin përkatës dy paragrafe kundërshtonin njëri-tjetrin, ku vjedhja e energjisë, njëherë cilësohej si kundravajtje dhe një herë si vepër penale. Kjo ka bërë që shpesh gjykatat t’i interpretonin rastet e konstatuara të vjedhjes së energjisë, si kundravajtje administrative, pa dënim me burg.

Por veç këtij qartësimi përfundimtar, drafti i ri ashpërson edhe masat ndëshkuese për ata që vjedhin energji, si për familjarët ashtu edhe për biznesin. Për konsumatorët familjarë, të cilët vjedhin energjinë, më shumë se një herë dhe në bashkëpunim dënimi me burg është deri në tre vjet.

Ndërsa, për biznesin ai shkon automatikisht në 5 vjet, për shkak se siç argumentohet në relacion në këtë rast vjedhja e energjisë ka rrethana edhe më të rënduara, pasi kryhet për qëllime fitmprurëse tregtare dhe jo për nevoja jetike si në rastin e familjarëve.

Paralelisht me dy ndryshimet e mësipërme në ligjin e ri do të konsiderohet krim, i cili dënohet me tre vjet edhe dëmtimi i qëllimshëm i matësave, që siç shpjegon Ministria po shndërrohet në një fenomen shqetësues shumë të përhapur. Ashpërsimi i masave ndëshkuese për vjedhjen e energjisë elektrike vjen në një kohë, kur gjithë sistemi energjetik dhe veçanërisht hallka e fundit e tij në shpërndarje është në një situatë të rënduar financiare për shkak të vjedhjes masive.

Pak kohë më parë Qeveria ka ngritur dhe një task forcë të posaçme, e cila drejtohet nga zëvendëskryeministrit për t’u përballur me sistuatën emergjente të sektorit energjetik.

Top Channel