“31 shkrimtarët e shekullit”

24/03/2014 00:00

Diplomatë, politikanë, njerëz të letrave, kolegë gazetarë dhe dashamirës të letërsisë, morën pjesë në promovimin që Top Channel dhe shtëpia botuese “Dudaj” i bënë librit më të ri të Rudina Xhungës, me titull “31 shkrimtarët e shekullit”.

“Të gjithë falënderimet janë në libër. Kush do mund të blejë librin, janë aty dhe falënderimet për gjithsecilin prej njerëzve që kanë bashkëpunuar, për të sjellë për lexuesin 31 intervista me 31 shkrimtarët e këtij shekulli”, u shpreh autorja e librit, Rudina Xhunga.

Parathënia e librit mban autorësinë e Edi Ramës, i cili u shpreh i kënaqur me kontributin e dhënë në këtë vepër të përbashkët të autores Xhunga dhe botueses Dudaj. Në parathënien e këtij libri, Edi Rama shkruan: Një shfaqje për të mos u humbur!

“Ishte kënaqësi për ta dhënë këtë kontribut për këtë botim. Një vepër e përbashkët e dy grave, që japin e marrin me siguri me të gjitha problemet që kanë gratë-nëna sot, por që nuk heqin dorë nga pasioni për librin dhe, kur bëhen të dyja bashkë, gjithmonë është sukses dhe është kënaqësi të shohësh se çfarë arrijnë të prodhojnë. Ky është një libër, që ka edhe një të mirë tjetër për kohën që jetojmë, që nuk të imponon ta fillosh te faqja e parë dhe të shkosh te faqja e fundit, por të jep mundësinë që, sa herë ta kapësh, të shikosh një gjë që se ke parë më parë dhe pa pasur nevojë të ndjekësh gjithë rendin e gjërave. Është një libër, që i ngjan shumë Rudina Xhungës, në këtë sens dhe që të jep mundësinë të gjendesh në stacione krejt të ndryshme, gati-gati të përshkosh botën, por pa rend, për t’u nisur nga ‘a’-ja për të shkuar te ‘zh’-ja. Është një libër që meriton respekt, për përpjekjen e gjatë të Rudinës për të mbledhur bashkë 31 shkrimtarë në një botim të vetëm, pas një endjeje të gjatë nëpër bibliotekën e botës. Unë jam pjesë e punës së Arlindës dhe Rudinës, në aspektin e promovimit të librit. Nëse është kështu, atëherë ndihem mrekullisht mirë i përdorur dhe sjellsha më shumë kopje të shitura dhe më shumë kënaqësi për shkrimtaren dhe botuesen. Jam i bindur për një gjë, që po përdorem për një kauzë shumë të mirë, sepse po përdorem për të çuar te publiku jo një produkt komercial, por një produkt të intelektit më të lartë të botës së sotme të letrave”, – u shpreh kryeministri.

Përmes 31 intervistave të realizuara ndër vite, Rudina Xhunga sjell përmes këtij libri emrat më autoritarë të letërsisë dhe mendimit bashkëkohor. Mes tyre, nobelistët që frymëzuan dhe ndryshuan botën e këtij shekulli. Libri i autores Rudina Xhunga bashkon, për herë të parë për lexuesin shqiptar, intervista të rralla të njerëzve që bëjnë bibliotekën e botës.

Top Channel