“Bashkim” ekonomik Shqipëri-Kosovë

23/03/2014 00:00

Nga qyteti i Pejës, kryeministri Edi Rama bëri thirrje për bashkim ekonomik Shqipëri-Kosovë, duke thyer cdo barrierë që ekziston në kufirin mes dy vendeve.

“Një Dhomë të Tregtisë Kombëtare nuk e kemi, një dhomë që të bashkojë nën një çati sipërmarrjet shqiptare në cdo pjesë të territorit të Shqipërisë dhe Kosovës dhe të tjetë pika e referimit për të dyja qeveritë dhe të jetë pala që dialogon në emër të të gjitha dhomave për të gjithë këto që flasim, do të ishte një instrument jashtëzakonisht i vlefshëm. Për të bërë kombëtaren e futbollit na pengon UEFA dhe FIFA, por kombëtaren e sipërmarrjes nuk na pengon askush dhe është vetëm faji ynë nëse nuk e bëjmë për të patur sukses në Shqipëri dhe në Kosovë”, tha Rama.

Kryeministri Rama tha se shumë shpejt dy vendet do të bëjnë një vlerësim të përbashkët për procedurat doganore, duke shndërruar kufirin sic u shpreh ai në mundësi.

“Morëm angazhimin që të heqim tatimit e dyfishtë, kemi vendosur po ashtu që të eliminojmë TVSH për librat, për gazetat, për revistat. Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë do të futet skema e përjashtimit të TVSH-së për tubat e çelikut. Në fund të muajit prill Kosova dhe Shqipëria do të bëjë një vlerësim të përbashkët dhe do të jetë publik, i procedurave doganore. Të jesh tranzit 4-5 ditë sot për të shkuar nga Durrësi në Prishtinë, apo Pejë, apo Gjakovë, apo diku tjetër do të thotë që ne jemi jo 4-5 ditë, po 50 vjet mbrapa”, deklaroi Kryeministri.

Kryeministri Rama u ndal edhe tek bashkëpunimi në fushën e energjisë ku kërkoi të mos humbet kohë si në rastin e linjës së interkonjeksionit.

“Ne kemi shumë mundësi dhe do ta bëjmë shumë shpejt që të kemi një autoritet të përbashkët Shqipëria dhe Kosova të blerjes së energjisë kur vjen puna për ta importuar energjinë, sepse do të bëjmë dy gjëra, do ta importojmë në kohë, do ta importojmë më lirë dhe më pa siklete sepse do të jetë shumë më e vështirë për të bërë korrupsion kur të jemi bashkë”, deklaroi Rama.

Top Channel