Energjia me tarifë të njehsuar

22/03/2014 00:00

Më shumë se një dekadë pas vendosjes, Enti Rregullator i Energjisë po
merr në konsideratë heqjen e fashës së mbrojtur të konsumit deri në 300
kilovat.

Kryetari i Entit, Petrit Ahmetaj tha se orientimi është që vitin tjetër të shkohet drejt një tarife të njëhsuar për energjinë elektrike.

“Struktura e çmimit, e cila është në dy blloqe nga pikëpamja e zbatueshmërisë te kompania ka hasur probleme, sepse vlerësimi i çmimit në dy blloqe do të thotë që mekanizmi i lexiit duhet të jetë shumë korrekt që lidhet me datat e leximit, pra duhet të respektosh periudhën njëmujore. Por nuk është vetëm ky një nga faktet, sepse brenda kësaj strukture ekziston mundësi që të abuzohet me konsumatorin”, tha Ahmetaj.

Aktualisht çmimi i energjisë llogaritet me dy blloqe. Për konsumin deri në 300 kilovat në muaj, familjarët paguajnë 7.7 lekë, ndërsa për sasinë që konsumohet mbi këtë fashë çmimi është 13.5 lekë. Gjasat janë që të shkohet drejt një çmimi të njehsuar, i cili do të jetë ndërmjet të dyve.

“Unë nuk mund të them sot një çmim të ri sepse ajo duhet të jetë në bazë të një analize, por edhe nëse do të jetë më i lartë se çmimi i fazës së mbrojtur, gjithmonë mbrojtja e konsumatorëve do të realizohet, flas për mbrojtjen e konsumatorëve në nevojë”, tha Ahmetaj.

Të dhënat zyrtare nga Enti Rregullator tregojnë se mbi 75 për qind e familjeve shqiptare kanë një konsum mujor energjie deri në 300 kilovat orë.

Njëhsimi i çmimit në një nivel më të lartë se 7.7 lekë do të sillte automatikisht rritjen e faturës mujore që ata paguajnë për energjinë. Masa e rritjes do të varet nga çmimi i ri që do të përcaktohet. Qeveria thotë se do të mbrojë shtresat në nevojë dhe një nga variantet e përfolur është ai i kompensimit me para në dorë për 100 mijë familjet, të cilat janë në skemën e ndihmës ekonomike. Kjo është sa rreth 12 për qind e totalit të familjeve.

Top Channel