Bushati në Kroaci: Thellim të bashkëpunimit

22/03/2014 00:00

Nisur nga marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Kroacisë, të dy
këto vende kanë vendosur që të thellojnë bashkëpunimin mes tyre në
hapësirën e përbashkët Adritiko-Joniane me projekte energjetike
(gazsjellësit TAP, IAP dhe degëzimet e tyre) dhe infrastrukturore
(korridori adriatiko-jonian) që, sipas përfaqësuesve të të dyja
qeverive, do të krijojnë një realitet të ri në rajon.

Është ky rezultati i takimeve që kreu i diplomacisë shqiptare Ditmir Bushati zhvilloi dje me zëvendëskryeministren e parë dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Europiane të Kroacisë, Vesna Pusic dhe Kryetarin e Parlamentit, Josip Leko, në kuadër të vizitës së tij zyrtare që po zhvillon në Kroaci.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme mësohet se në takimin e djeshëm të dy bashkëbiseduesit i kushtuan vëmendje të posaçme bashkëpunimit dypalësh mes Shqipërisë dhe Kroacisë, ku të dy ministrat, gjithashtu, nënshkruan marrëveshjen për Partneritetin Europian. Ministrja e Jashtme kroate Pusic shprehu bindjen e saj se Shqipëria ka hedhur hapa të rëndësishëm në procesin e integrimit europian dhe se në këtë kontekst, ajo e meriton plotësisht marrjen e statusit të vendit kandidat në BE në qershor të këtij viti.

Nga ana e tij, ministri Bushati theksoi hapat e ndërmarrë nga qeveria shqiptare në realizimin e një sërë reformash në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si pjesë e axhendës integruese të vendit tonë në Bashkimin Europian. `Shqipëria e sheh Kroacinë si një vend model dhe me rol vendimtar për të mobilizuar vullnetin politik europian rreth proceseve integruese të Ballkanit Perëndimor`, – u shpreh Bushati. Gjithashtu, ministri Bushati zhvilloi një takim edhe me Kryetarin e Parlamentit të Kroacisë, Josip Leko, ku bashkëbiseduesit i kushtuan vëmendje të posaçme bashkëpunimit mes parlamenteve të dy vendeve.

Top Channel