Tahiri: Jo azil në vendet e BE-së

21/03/2014 00:00

Ministri i Brendshëm nga Rinasi i bëri thirrje shqiptarëve që të respektojnë lëvizjen e lirë në hapësirën Shengen dhe të mos kërkojnë azil në Bashkimin Europian për shkak se është e pamundur ta përfitojnë atë.

“Të konsiderojnë se sot është e pamundur të kërkosh dhe të marrësh azil në BE. Shqipëria nuk konsiderohet më vend i denjë për të pritur qytetarë që kërkojnë azil. Jemi të vendosur, që bashkë me partnerët tanë të luftojmë këtë fenomen, edhe dimensionin social, edhe atë ekonomik, por mbi të gjithë dimensionin kriminal”, tha Tahiri.

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ndodhej në aeroprt për të pritur Lordin Taylor of  Holbeach, Ministër i Shtetit për Emigracionin në Britaninë e Madhe, i cili udhëtoi së bashku me 49 shqiptarë nga Londra, që qëndronin në Angli në mënyrë ilegale.

“Kam ardhur bashkë me 49 persona që ishin në Angli në mënyrë ilegale dhe ndaj tyre është marrë masa e deportimit. Jemi të detyruar të përballemi edhe me këtë fenomen. Në emër të qeverisë angleze jam i lumtur të them që kemi një bashkëpunim të mirë për të luftuar jo vetëm emigracionin, por edhe krimin në përgjithësi”, deklaroi Lordi Taylor of Holbeach.

Të dy ministrat i mëshuan faktit se nuk do të ketë azile për askënd dhe se si Shqipëria dhe Anglia janë duke bashkëpunuar për të luftuar trafikun e qënieve njerëzore.

Top Channel