Predikimi i rrymës radikale

21/03/2014 00:00

Disa nga të arrestuarit mes tyre edhe dy imamët e vetëshpallur, Genci Balla dhe Bujar Hysa dyshohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda se në Shkollën e Xhamisë në Unazën e Re, fëmijeve u propagandonin rrymën radikale të islamit, ashtu sic predikonin edhe për ndjekësit e tyre shumicën e të cilëve i bindën të luftojnë në Siri.

Por edhe pse Ministria e Arsimit deklaroi se do nisë inspektimet nuk ka ende një listë me numrin dhe emrat e fëmijëve që kanë ndërprerë shkollën vitet e fundit dhe që dërgoheshin nga prindërit për të mësuar në katin e fundit të xhamisë ilegale në Tiranë.

Në materialet e grupit të hetimit prokurorët përmendin mes të tjerash faktin e provuar në përgjime, në çastin kur shtetasi shqiptar me emrin e ndryshuar në Ebu Muhamet është nisur nga Shqipëria për të luftuar në Siri, imami Bujar Hysa gjithashtu edhe mësues i fëmijëve në Xhaminë e Unazës së Re, shprehet i gëzuar në një telefonatë pasi njëri nga fëmijët ka shkruar një poezi për luftëtarin.

Pas këtij komunikimi është vendosur që poezia të hidhet në një faqe interneti ku publikoheshin më së shumti ligjërimet. Në këtë poezi që mban datën 20 dhjetor 2012, fëmija lutet  të bëhet luftëtar, sic edhe Ebu Muhameti e të shkojë edhe ai në fushë-betejë.

“E lus Allahun që si ti, të rend ku burrat rendin/ ti nëse në fushë nese bi’/ unë ta zej ty vendin”

Fëmija shton:

“…në këtë botë mos u takofshim/ dhe pse mall po ndjej/ lutjet tona u pranofshin/ rafsh në fushë-betejë

Me vrasjen në Siri të Hasan Korvafajt, imamët flasin në telefon dhe njëri prej tyre shprehet se fëmija ka shkruar sërish një tjetër poezi për të vrarin, ku përvecse  vajton, shkruan për të në veten e parë, fëmija flet po ashtu për “shehidët”, që do të thotë “martirët”, forcimin e vëllazërisë dhe krijimin e shtetit islamik.

“Më ka vrarë kushdo që heshti/ e nuk nxiti për në Siri/ më ka vrarë ai që s’deshi/ të kish xhihadë si ti”.

…erdha t’ju jap pushkën time/ dhe llogoren t’ju tregoj/ merreni nëpër luftime/sepse unë pak do pushoj/ Erdha t’ju jap amanetin, mos më rrini të pezmatuar/ sepse sot e kemi shtetin për kaq kohë kemi ëndërruar”

Por ndërsa për këtë pikë prokurorët dhe agjentët e anti-terrorit në Policinë e Shtetit po këmbëngulin të sigurojnë listën me emrat e fëmijëve në lidhje me rekrutimin e të rriturve dhe indoktrinimin e tyre, një burim i Top Channel e shpjegon vetëm me një fragment përgjimin ku njëri nga imamët flet në telefon me një tjetër shqiptar që ndodhet aktualisht në Siri duke i shpjeguar se “i kishte bërë gati katër persona të tjerë, dy prej tyre janë gati për rrugë pa kthim” – thotë imami Bujar Hysa , i cili bashkë me Genci Ballën kanë rolin kryesor të organizatorëve në grupin e 13 personave që akuzohen për rekrutim të personave me qëllim kryerjen e veprimeve terroriste, nxitje, thirrje dhe propagandë për kryerjen e veprimeve terroriste dhe nxitje të urrejtjes.

Top Channel