Ukrainë, Obama: S’do të dërgojmë trupa

20/03/2014 00:00

Presidenti amerikan, Barack Obama, ka përjashtuar mundësinë e një “ndërhyrjeje ushtarake” nga ana e Shteteve të Bashkuara në Ukrainë, duke thënë se të impenjohesh në një betejë ushtarake kundër Rusisë “nuk do të ishte gjëja e duhur”.

“Ajo që do të përpiqemi të bëjmë, – shpjegoi ai, – është të mobilizojmë të gjitha burimet tona diplomatike për të siguruar një koalicion të fuqishëm ndërkombëtar, të aftë për t’i dërguar një mesazh të qartë mbi faktin se “Ukraina duhet të vendosë vet për të fatet e saj”.

Reagimi i Obama-s vjen në prag të një klime gjithnjë e më të theksuar të një “Lufte të Ftohtë”, teksa përballja kryesore për krizën në Ukrainë duket të jetë ajo mes Uashingtonit dhe Moskës.

“Jemi të gatshëm të ndërmarrim aksione të reja, nëse provokimet e Rusisë në Ukrainë do të vazhdojnë”, tha ambasadorja amerikane në OKB, Samantha Power.

E megjithatë, nga Moska duket se askush nuk tërhiqet mbrapsht. Rusia, siç bën të ditur zv/ministri i Jashtëm, mund të rishikojë pozicionin e saj në lidhje me negociatat bërthamore, në kundërpërgjigje ndaj sanksioneve të vendosura nga SHBA-të dhe BE.

Ndërkohë, ajo që po ndodh në Krime “është një këmbanë alarmi për komunitetin euroatlantik, për NATO-n dhe për të gjitha ata që janë të impenjuar në mbrojtjen e një Europe të lirë dhe paqësore”.

Këtë ka thënë Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, duke ritheksuar se tashmë ka ndodhur “një agresion ushtarak” nga ana e Rusisë.

“Ngjarja në Krime, – sqaron Rasmussen, – është kërcënimi më i madh ndaj sigurisë së Europës, që prej kohës së Luftës së Ftohtë”.

Një reagim ka ardhur edhe nga Shtëpia e Bardhë. “Shtetet e Bashkuara dënojnë atë që po bën së fundi Rusia për të marrë në kontroll bazat ushtarake ukrainase, aksione pas të cilave po krijon një situatë tepër të rrezikshme”.

Lajmin e ka njoftuar zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, teksa vet Kievi pritet të kërkojë në OKB që Krimea të kthehet në një “zonë të demilitarizuar”, siç ka njoftuar Sekretari i Këshillit të sigurisë ukrainase, Andriy Parubiy.

Top Channel