Itali, sekuestrohen 2 tonelata kokainë

20/03/2014 00:00

Importonin qindra kilogramë kokainë çdo muaj, vepronin në të paktën 12 shtete, transferonin miliona euro dhe kishin një xhiro të ardhurash që edhe autoritetet nuk janë në gjendje ta përcaktojnë.

Për të frenuar këtë aktivitet kriminal ishin vënë në lëvizje autoritetet italiane të Guardia di Finanza dhe Antimafias, si dhe policitë e gjysmës së vendeve të Evropës dhe ato të Amerikës Latine, të cilat kanë arrestuar të enjten 23 persona në dy kontinentet.

Sipas raportimeve të mediave italiane, trafiku masiv i drogës drejtohej nga disa klane të mafias kalabreze dhe një fraksion i asaj malazeze, të cilët vepronin në kontakt direkt me krerët e karteleve kolumbiane të narkotrafikut.

Sipas burimeve, në faza të ndryshme të operacionit janë sekuestruar rreth 2 tonelata kokainë, e cila dërgohej nga Kolumbia dhe Peruja dhe përmes porteve braziliane mbërrinte në Evropë, në portin Xhoia Tauro të Kalabrisë, i konsideruar prej kohësh në duart e mafias lokale.

Këtu janë sekuestruar 600 kilogramë kokainë e pastër, ndërsa pjesa tjetër është sekuestruar në vende të ndryshme të Evropës, diku më shumë e diku më pak, në vartësi të kërkesave të tregut.

Për të arritur në goditjen e kësaj organizate, policitë evropiane dhe ato ameikano-jugore, të ndihmuara nga agjencia amerikane DEA, kanë zhvilluar për dy vjet një hetim shumë kompleks, duke ndjekur në veçanti shtetasin italian Pasquale Bifulco.

Lindur në Kalabri, Bifulco konsiderohej nga autoritetet si një “tru kriminal”, duke qenë se ishte inteligjent, kishte nuhatje, fliste disa gjuhë të huaja dhe mbyllte marrëveshje kriminale në shumë vende të botës.

Top Channel